Pamje të publikuara nga Kuvendi i LDK-së, tension e kundërshti në momentin kur Sejdiut i mohohet kandidatura

Kuvendi Zgjedhor i LDK’së është përmbyllur pa ndonjë incident, megjithatë në disa momente situata brenda sallës ku po zhvilloheshin punimet për zgjedhjen e kryetarit të ri ka qenë e tensionuar.

Lajme

06/08/2019 16:58

Një gjë e tillë ka ndodhur kur është vendosur në votim emri i Fatmir Sejdiut si kandidaturë që pretendonte të sfidonte Isa Mustafën për karrigen e të parit të LDK’së.

Në momentin kur është bërë thirrje që të deklarohen delegatët nëse janë pro miratimit të kandidaturës së Fatmir Sejdiut, votimi ka ndodhur në mënyrë të hapur.

Një gjë e tillë duket se nuk i ka pëlqyer një përkrahësi të Sejdiut brenda sallës, i cili i tensionuar ka kërkuar që votimi për kandidaturën e tij të bëhet me votë të fshehtë.

Në një video të siguruar nga Gazeta Express ky delegatë i LDK’së flet me tone të larta duke thënë se partia ka shënuar regres për faktin së në Kuvendin e VII-të e kishte votuar kandidaturën e Sejdiut por jo edhe në Kuvendin e IX-të.

“Futeni me votim të fshehtë ju lutem. Shif çfarë regresi keni bërë, e keni futur në Kuvendin e shtatë, dhe nuk po e fusni në Kuvendin e nëntë. Shifni çfarë demokracie keni. Ju lutemi futeni në votim të fshehtë. Kush fiton pastaj ia paft hajrin, do ta përkrahim deri në fund. Mos bëni kështu. Çfarë të drejte keni që kryesia në largim me e zgjedh kryetarin e ardhshëm. Mos u bëni argat të dreqit”, ka folur i tensionuar ky delegat, raporton Gazeta Express.

Mirëpo punimet kanë vazhduar, dhe pro kandidaturës së Fatmir Sejdiut kanë qenë vetëm 78 delegatë, numër ky i pamjaftueshëm për të hyrë në garë për kryetar, pasi që Neni 25 saktësisht pika 2 e Satutit të LDK’së, thekson se secila kandidaturë për kryetar të LDK’së,  fillimisht duhet të miratohet me 50+1 për qind të delegatëve të pranishëm, ka qenë barrikada të cilën s’ka mundur ta kalojë Fatmir Sejdiu në Kuvendin Zgjedhor të 3 gushtit.