Njeriun e mirë për Prizrenin

Isa Mustafa deklaroi në Prizren se me fitoren e LDK’së Kosova do ta ketë një qeverisje demokratike. E kandidati për Prizrenin, Eqrem Kryeziu, tha se me fitoren e tij prizrenasit do të fitojnë një pushtet të përgjegjshëm, të vendosur e të drejtë.

Lajme

20/10/2013 17:42

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, deklaroi sot në Prizren se kjo parti  synon ta marrë përkrahjen e shumicës së qytetarëve të Kosovës.

Ai tha se me fitoren e LDK’së Kosova do ta ketë një qeverisje demokratike, e do ta çojë përpara procesin e integrimeve europiane.

“Do ta kemi një besim më të mirë të Kosovës nga Bashkimi Europian dhe do të kemi një miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara, ashtu siç thoshte dhe na e ka lënë amanet Presidenti ynë Rugova”.

“Ne po e ndiejmë frymën e mbështetjes së qytetarëve për frymën rugoviane, për qeverisjen demokratike të komunave të Kosovës. Në kuadër të frymës së kësaj politike, ne do të jemi të fortë, të ndërgjegjshëm, për besimin dhe mandatin që do të na e japin qytetarët në zgjedhjet e tanishme lokale dhe në ato nacionale, që do të mbahen vitin e ardhshëm”.

“Pas fitores së Eqrem Kryeziut në Prizren dhe kandidatëve për këshilltarë komunalë, ne nuk do të ndalemi, por do të vazhdojnë vitin e ardhshëm për t’i fituar zgjedhjet nacionale”.

Kryetari i LDK’së ka qenë kritik me mënyrën e menaxhimit të parasë publike, shpërndarjes së projekteve dhe menaxhimit të pronës në Prizren.

“Ne jemi të bindur se me fitoren e LDK’së nëpër komuna, puna në të gjitha nivelet do zhvillohet më mirë, buxheti do të shpërndahet më mirë, paraja publike do të shfrytëzohet si duhet”.

“Me LDK’në pronarët e pronave do të kenë sigurinë e tyre dhe nuk do t’ju cenohet e drejta themelore e pronës, ndërsa shëndetësia do të jetë në nivelin siç e meritojnë qytetarët”.

“Ne jemi të bindur se do ta fitojmë komunën e Prizrenit, sepse puna e Eqrem Kryeziut, si ish-Kryetar i Komunës, si deputet i Kuvendit të Kosovës, si Nënkryetar dhe Anëtar i Kryesisë së LD;-së, na bën të bindur se ai është njeriu më i mirë, më i qëlluar, njeriu i cili mund ta realizojë fitoren e LDK-së në Prizren dhe njeriu, i cili do të punojë shumë për të mirën e banorëve të këtij qyteti”.

Eqrem Kryeziu, Kandidat i LDK’së për Kryetar të Prizrenit, tha se me fitoren LDK’së, prizrenasit do të fitojnë një pushtet të përgjegjshëm, të vendosur dhe të drejtë, prandaj besimi i qytetarëve na obligon që të bëjmë më të mirën për qytetin dhe qytetarët.

“Besimi që na u pat dhënë për shtatë vjet (gjatë qeverisjes së LDK’së në Prizren), ne nuk kemi bërë dallime me ato pak para që i kemi patuar atëherë dhe me ato hiç kompetenca në kohën e UNMIK-ut. Ne i kemi shpërndarë projektet gjithandej komunës së Prizrenit, pa marrë parasysh a kemi simpatizues të partisë, apo nuk kemi”.