“Merkel ishte e qartë për Asociacionin e korrupsionin”

”Kosova nuk ka asnjë mundësi që ta zgjasë më çështjen e Asociacionit. Aspekt tjetër me rëndësi të veçantë është luftimi i krimit dhe korrupsionit”, ka deklaruar analisti Artan Muhaxhiri, duke komentuar deklaratën e kancelares gjermane Angela Merkel para takimit me presidentin Hashim Thaçi

Lajme

09/05/2018 19:21

Analisti politik Artan Muhaxhiri e ka cilësuar partneritetin me Gjermaninë si fat të madh për vendin, por që për fat të keq nuk po shfrytëzohet siç duhet nga kasta politike kosovare.

Duke komentuar takimin e presidentit Hashim Thaçi me kancelaren gjermane Angela Merkel, ai ka deklaruar se mesazhet e Merkel për dialogun me Serbinë dhe shtegun e Kosovës drejt Bashkimit Europian ishin të qarta, ndaj mbi to duhen ndërtuar agjenda.

”Është privilegj i madh që një shtet si Kosova ta ketë një partnere siç është Gjermania me kancelaren Angela Merkel. Kemi përkrahje të jashtëzakonshme që për fat të keq nuk po shfrytëzohet aq sa duhet ta shfrytëzojë klasa politike kosovare”.

”Ne që jetojmë në Kosovë nganjëherë e humbim ndjenjën e respektit për shtetin. Por kur po ndodhin këto vizita ajo ringjallet, bashkë me një lloj shprese që me përkrahje të tillë shteti ynë ka dikë partner”.

”Është fat ky partneritet, sepse nëse gabojmë diku, kemi një shtet si Gjermania që mund të na udhëzojë në rrugën e duhur”.

”Kjo është e vërtetë dhe jemi me fat që po ndodhë kështu, sidomos pasi Gjermania ka marrë  një lloj primati edhe në raport me Kosovën edhe me Serbinë”.

”Porositë e sotme nga kancelarja Merkel, se nuk do të lejojë më hapësirë të ndodhë ajo që ka ndodhur me demarkacionin, ishin jashtëzakonisht të qarta,”.

”Kosova nuk ka asnjë mundësi që ta zgjasë më çështjen e Asociacionit. Aspekt tjetër me rëndësi të veçantë është luftimi i krimit dhe korrupsionit”.