Për dy ditë: Thaçi në Gjermani me Merkelin, Vuçiq në Rusi me Putinin
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka udhëtuar sot për një vizitë zyrtare në Berlin.
Lajme
Në kryeqytetin gjerman, Thaçi nesër do të pritet në takim bilateral nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, ku do të bisedohet për tema të ndryshme të interesit të përbashkët.
Temë diskutimi e takimit Thaçi- Merkel pritet të jetë edhe vazhdimi i mbështetjës së Gjermanisë për fazën e fundit të procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
E para Thaçit, me kancelaren Merkel ishte takuar edhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq.
Madje Vuçiq ishte shprehur mjaft i emocionuar për takimin me Merkel, shkruan lajmi.net.
“Një natë para takimit, nuk mund të haja e as të fleja, sepse isha shumë i shqetësuar për fatin e Serbisë”, shprehej Vuçiq pas takimit me Merkel.
E pikërisht Vuçiq, në të njëjtën kohë me presidentin Thaçi është duke qëndruar në një vizitë zyrtare në Moskë, ku do të takohet me homologun e tij rus, Vladimir Putin.
Ky takim mes Putinit dhe Vuçiqit, pritet që të sjellë edhe një herë në tavolinë temën e Kosovës.
Në anën tjetër, Vuçiq thotë se Rusia do ta konfirmojë edhe njëherë mbështetjen e saj ndaj Serbisë për sfidat e shtetit të tij.
Ai është shprehur i gëzuar dhe emocionuar edhe për takimin me Putin.
“Ne do ta kemi mundësinë të flasim me Putinin në mbrëmjen e së martës, dhe ajo se për çfarë jam i befasuar është se Putin do të mbajë një darkë pas mbledhjes, këtë me rast të paradës së fitores në zgjedhjet presidenciale. Dhe më duket se vetëm kryeminitri i Izraelit, Benjamin Netanyahu dhe unë do të jemi prezent në këtë paradë”, ishte shprehur Vuçiq.
Ndryshe, presidenti Thaçi do të takohet gjatë ditës së nesërme me Kancelaren Merkel, ku edhe pritet të ketë konferencë të përbashkët për media./Lajmi.net/