Pacolli: Shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën ta ndjekin shembullin e Barbadosit
Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli ka thënë se shtet të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, duhet ta ndjekin shembullin e Barbadosit, i cili mbrëmë ka njohur Kosovën.
Lajme
Pacolli ka thënë se kjo njohje dhe shprehja e vullnetit për vendosjen e shpejtë të marrëdhënieve diplomatike në mes dy vendeve respektive është një lajm i duhur në kohën e duhur dhe duhet t’i inkurajojë edhe shtetet tjera jo-njohëse, që ta ndërmarrin një hap të tillë në shënimin e dhjetë vjetorit të pavarësisë së Kosovës.
“Ky akt i rëndësishëm nga përfaqësuesit e shtetit të Barbadosit fuqizon edhe më tej legjitimitetin ndërkombëtarë të Kosovës dhe dërgon një mesazh të qartë se procesi i njohjeve është i pakthyeshëm dhe i pandalshëm”, ka thënë Pacolli, pas pranimit zyrtar të njohjes nga Barbadosi, nëpërmjet të cilës konfirmohet ky vendim.
“Unë nuk do të ndalem. Unë sapo kam filluar. Ky vit do të jetë i mbarë për Kosovën”, është shprehur më tej kreu i diplomacisë kosovare.
Barbadosi është një shtet ishull në rajonin e Karaibeve në Amerikën Veriore me një popullsi që llogaritet të jetë rreth 300 mijë banorë./Lajmi.net/