Kremtim Krasniqi, aktori kosovar që po realizon në Turqi ëndrrën e nisur në Kosovë

Quhet Kremtim Krasniqi dhe vjen nga Peja, Kosovë.

ShowBiz

27/01/2018 21:30

Në vendlindje, ai përfundoi shkollimin fillor e të mesem, për të vazhduar më pas rrugëtimin e ëndrrës së tij në Prishtinë, ku përfundoi studimet bachelor dhe master në Fakultetin e Artëve, drejtimi aktrim, shkruan lajmi.net

Por, ky rrugëtim mori një tjetër kahje kur Kremtimi u zhvendos në Stamboll para katër viteve.

Në një intervistë për lajmi.net, aktori ka treguar për iden e kësaj zhvendosje dhe ka folur edhe për punën që po e bën në Stamboll.

 Që sa vite jeni zhvendosur në Turqi?

Ka katër vite që jetoj  në Stamboll  së bashku me bashkëshorten Fjollën dhe fëmijët  Borë Bardhën dhe Akilin.

Si erdhi ideja që të aktrosh në këtë shtet?

Në Turqi erdha si student përmes programit ‘’Türkiye Bursları’’, nga i cili fitova bursë për studimet post-diplomike. Master në drejtimin  Radio, TV dhe Kinema, Universiteti i Marmarasë në Stamboll. Kjo ndodhi falë bashkëshortes sime e cila më shtyri të aplikoj në këtë program ajo në atë  kohë ishte duke studiuar në Univesitetin e Sakarya-s në Adapazar. Unë aso kohe isha shumë i lidhur me teatrin në Kosovë dhe nuk mendoja të shkoja diku jashtë  vendit për studime apo për punë. Në kohën kur morra lajmin se kisha fituar burse isha duke i vijuar studimet master në klasën e profesor  Enver Petrovci-t në Fakultetin e Arteve.

Më  kujtohet në një bisedë me profesorin Enver Petrovcin kur  i tregova për idenë e shkuarjes në Turqi, profesori më inkurajoi të vazhdoj këtë rrugë. Madje më kujtohet saktësisht: ‘’Dëgjoje profesorin shko sepse Turqia është Holivudi i Evropës’’. Ai po ashtu me këshilloi  që të punoj shumë me gjuhën këshillë të cilën mundohem  ta aplikoj sepse gjuha është element  kyç i një aktori.

Erdha ne Stamboll vend ky që sipas meje është një qytet-shtet brenda Turqisë. Qyteti i cili bashkon dy kontinente atë të Evropës me atë të Azisë fitoi simpatinë time që herë e parë qe arrita këtu. Kështu vendosem të jetojmë për një kohe …deri kur? Nuk e di.

Sa ka qenë e vështirë në fillim për juve të ambientoheni me kastet në Turqi?

Vështirësia e parë ka qenë gjuha sepse në fillim nuk e dija turqishten,  pastaj rrethi i njerëzve  të profesionit sepse  nuk e njihja askënd. Më të përvetësuar gjuhen fillova me studimet  dhe kështu  fillova të njoftohem me njerëzit e zanatit ku arrita të luaj së pari në disa projekte me të vogla. Duke kaluar vitet rrethi i bashkëpunëtorëve është duke u  rritur kjo do të thotë më shumë punë për mua. Së bashku me disa shoke themeluam ‘’Kıyam Akademi’’, Kjo Akademi   merret kryesisht me realizimin e skenave aksion  prej më të lehtave deri të ato më të vështira. Kjo me ndihmoj t’i zhvilloj edhe disa aftësi tjera siç janë: artet marciale, kalërimin dhe shpatimin. Punova me mjeshtrin e shpatës Mahmut Kotan një shpatues shumë I përgatitur. Në përgatitjet fizike ende  punojmë  me Ahmet Akyol  një akrobat dhe xhudist  shumë i talentuar. Pozicioni im në këtë Akademi është mësues aktrimi. Unë i përgatis aktoret tanë që  aftësive të shkëlqyera fizike t‘ia shtojnë edhe përgatitjen emocionale. Përmes kësaj akademie u njoftova me disa produksione dhe arrita t’i realizoj disa role në disa dokumentarë dhe filma të ndryshëm.

Po aktualisht me çka po merreni?

Tani sapo kemi mbaruar xhirimet e dokumentarit kushtuar luftërave të  ‘’VIKINGS-ve’’ ku luajta rolin e Hardrada-s Mbretit të Vikings-ëve.  Ky është një cikël dokumentarësh që përbëhet prej dhjetë epizodave dhe quhet ’’LEGJENDAT E LUFTËRAVE’’, me regjisor: Muammer Koçak. Ky dokumentar është duke vazhduar me xhirime edhe pas disa muajve do të shfaqet në televizionin kombëtar të Turqisë TRT.

Përveç kësaj jam duke e shkruar një skenar filmi të  metrazhit të gjatë. Mendoj të aplikoj për fonde këtu dhe ta realizoj në Kosovë.

Sa mendon qe munden të depërtojnë aktorët shqiptarë në Turqi?

Këtu është treg i madh, ritmi shumë i shpejt i rrjedhave ta pamundëson të  arrish gjithçka, po gjithsesi diçka mund të arrish. Nëse përpiqesh mjaft, ke fat  pa dyshim dhe talent atëherë mbetet të punosh dhe të provosh ta zhvillosh vetën duke u aftësuar në fusha të ndryshme. Këtë mundësi ta jep Stambolli, vetëm duhet përkushtim.

Unë këtu kam marrë mësime për regji  dhe produksion në İstanbul Media  Akademi, me ç’rast  e realizova edhe filmin tim të pare si regjisor ‘’ The only way’’. Pos kësaj kam marr mësime për skenar nga Vancouver Academy (Shkollë amerikane e filmit që vepron në Stamboll si edhe në shumë vende të tjera të botës) , aty pata mundësinë të punojmë me skenaristë Holivudjan. Ishte një eksperiencë shumë e mirë, aty u frymëzova ta sfidoj veten edhe në skenar.

Cili është mesazhi juaj për ata që ëndërrojnë skenen e artit turk?

Mos i leni ëndrrat tu mbeten vetëm ëndrra, provoni t’i jetësoni ato./Lajmi.net/

26195957_10212210738277755_6816864748131547864_n 26731622_10212250544712891_4925094479551246038_n 15232045_10208983555360199_3705507418970640083_n 23319113_10211781684071668_7348461510224775120_n 27067909_10212297055875641_1476289901222802529_n