Shumë elozhe për një kriminel lufte
Vrasja e Oliver Ivanoviqit dhe vëmendja që po i jep klasa politike në Prishtinë dhe media e këtushme këtij ish-politikani serb, i cili u akuzua dhe u dënua për krime mbi popullatën shqiptare, mbetet një fenomen për të cilin secili qytetar i Kosovës ka të drejtë të pyesë: Pse gjithë kjo vëmendje për vrasjen e një krimineli?
Lajme
Vrasja e tij, e cila edhe më tej mbetet e pazbardhur, ndodhi në një kohë kur Kosova po përballet me kritika të ashpra të partnerëve ndërkombëtarë për tentativën e shfuqizimit të Gjykatës Speciale dhe mosratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.
Pa paragjykuar për vrasësit e mundshëm, të gjitha indikacionet çojnë në drejtimin se vrasja i konvenonte vetëm Beogradit, për ta mbajtur Kosovën në një pozicion defanziv në raport më Beogradin dhe izolues në raport me Brukselin dhe Uashingtonin.
Për mua dhe shumëkënd besoj vazhdon të mbetet e pashpjegueshme vëmendja e madhe, përtej obligimeve institucionale, që shumë politikanë tanë i dhanë dhe po i japin kësaj vrasje, sidomos figurës së këtij politikani serb, pa iu shkuar mendja se i njëjti para se të ishte përfaqësues politik i një pjese të serbëve të Kosovës, ishte një kriminel tashmë i shpallur me aktvendim të gjykatës, për krimet që kishte kryer mbi fqinjët shqiptarë që jetonin në veri të Mitrovicës.
Edhe më dëshpërues dhe më i pashpjegueshëm mbetet fakti se përse një pjesë e medies me ndikim, në gjuhën shqipe, i dha dhe po i jep kësaj vrasje dhe këtij njeriu një vëmendje dhe një hapësirë kaq të madhe. Për dy-tre ditë me radhë, pas vrasjes, kemi parë volumin dhe intensitetin e lajmeve për këtë ngjarje në nivelin që për nga rëndësia ka tejkaluar të gjitha temat e tjera. Intensiteti i lajmeve po vazhdon mbi këtë temë edhe këto ditë.
Pa bërë një përllogaritje statistikore mund të konstatojmë se, edhe krahasuar me median serbe në Serbi, media e Kosovës ishte shumë konkurruese për sa i përket prezantimit të kësaj ngjarje, madje shpesh u bë transmetuese dhe e pati si burim kryesor median serbe.
Në fund mendoj se ka diçka që nuk shkon me ne shqiptarët: Atyre miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë që na ndihmuan në çlirimin dhe po na mbështesin fuqishëm edhe në ndërtimin e shtetit të pavarur shumë shpesh po u ngrehim krye dhe po u bëjmë obstruksione të hapura deri në masën sa të akuzohemi se po u vëmë thikë pas shpinës, ndërkaq armiqve të deridjeshëm që na vranë dhe terrorizuan po u bëjmë elozhe!