Gjykimi për vdekjen nga shembja e pllakës së betonit
Gjyqtarja Nora Bllaca mungoi në gjykimin për vdekjen e Fitim Kiqinës nga shembja e pllakës së betonit. Në gjykimin e Agim Bajramit në lidhje me shembjen e një pllake të betonit në Lagjen “Arbëria” të Prishtinës, nga e cila vdiq Fitim Kiqina, mungoi gjyqtarja Nora Bllaca.
Lajme
Mungesën e gjyqtares Nora Bllaca e arsyetoi kryetari i trupit gjykues Vehbi Kashtanjeva i cili tha se gjyqtarja ndodhet në një trajnim jashtë vendit dhe se e njëjta nuk do të mund të paraqitet në seancë.
I pranishëm në seancë nuk ishte as dëshmitari dhe i dëmtuari Kushtrim Gashi.
Në mungesë të kushteve për mbajtje të seancës kryetari i trupit gjykues e shtyu seancën për një datë tjetër.
“Meqenëse trupi gjykues nuk është në përbërje të plotë për arsye se anëtarja e trupit gjykues, gjyqtarja Nora Bllaca nuk është prezente pasi që e njëjta gjendet në një trajnim jashtë vendit, gjykata merr aktvendim që shqyrtimi i sotëm të shtyhet për datën 4 korrik”, tha kryetari i trupit gjykues Vehbi Kashtanjeva.
Fitim Kiqina vdiq në QKUK pasi nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra në shkurt të vitit 2008, kur në Lagjen “Arbëria” një pllakë betoni e një objekti që po ndërtohej u shemb.
Kiqina ishte duke punuar nën këtë pllakë.
Sipas aktakuzës, ndërtimin e këtij objekti ishte duke e bërë kompania “Ari-Xoni” me pronar Agim Bajramin, i cili akuzohet për punime ndërtimore të kundërligjshme.
Në aktakuzë thuhet se Bajrami “ka vepruar kundër ligjit apo standardeve të pranuara ose kundër kushteve të lejes për ndërtim dhe me këtë ka rrezikuar jetën e njerëzve dhe të pasurisë në vlerë të madhe”.
Edhe mbikëqyrësi i punimeve në këtë objekt Njazi Hoxha, akuzohej njësoj si Bajrami, por Hoxha ka vdekur. /Kallxo.com/