Rreziku i partive që të humbin deputetë

Ligji për zgjedhjet e thotë që deputetin e larguar e zëvendëson deputeti që ka më së shumti vota e që nuk ka arritur të hyjë në Kuvend. Nëse ndonjëri nga deputetët e koalicioneve e dorëzon mandatin për çfarëdo arsye, nuk ia garanton atë ulëse partisë së tij.

Lajme

23/05/2017 16:01

Partia Demokratike e Kosovës së bashku me 13 parti të tjera do të hyjë në garë për zgjedhjet e 11 qershorit. Në listën e Koalicionit PDK-AAK-Nisma dhe parti tjera janë listuar 110 kandidatë. Kurse, Lidhja Demokratike e Kosovës ka nënshkruar koalicion parazgjedhor me Aleancën Kosova e Re dhe Alternativën.

Cilado prej këtyre koalicioneve që e formon qeverinë do të obligohen që në kabinetin qeveritar t’i emërojnë disa nga deputetet e zgjedhur, pasi koalicionet kanë futur në listat e kandidatëve nivelin më të lartë udhëheqës duke përfshirë edhe kandidatët për kryeministër.

E Ligji për Deputetët thotë se deputetëve u përfundon mandati në momentin e emërimit të tyre në poste qeveritare.

“Deputeti njëkohësisht nuk mund të jetë kryeministër, zëvendëskryeministër, ministër ose zëvendësministër. Me rastin e emërimit të një deputeti në funksionet e parapara në paragrafin 1 të këtij neni, mandati i tij përfundon në ditën e emërimit të tij si anëtar i qeverisë nga paragrafi 1 i këtij neni”, thuhet në nenin 6 të Ligjit për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit.

Garimi në një listë me disa parti të tjera do të krijojë situata të ndërrimit të numrit të deputeteve në mes të partive.

Kushdo që e liron vendin e deputetit, nuk ia garanton kolegut të partisë vendin, por ia garanton atij që ka vota më së shumti e që është në pritje, e që potencialisht mund të jetë nga partia tjetër.

Valmir Elezi nga KQZ-ja ka thënë se asgjë nuk ndryshon edhe pse koalicioni është me parti të ndryshme, sepse ato garojnë si subjekt politik.

“Koalicioni është një subjekt politik dhe nëse ndonjëri nga deputetët e zgjedhur e dorëzon mandatin, ai zëvendësohet me deputetin e radhës”, tha Elezi për Kallxo.com

Edhe Ligji për Zgjedhjet i Republikës së Kosovës e parasheh një diçka të tillë.

“Vendet e shpërndara ne përputhje me ketë ligj mbahen personalisht nga kandidatët e zgjedhur dhe jo nga subjekti politik”, thuhet në nenin 112 të Ligjit për Zgjedhje e që nënkupton se partitë politike nuk mund të vendosin se kë do e zëvendësojnë.

Sekretari i përgjithshëm i PDK-së, Basri Musmurati tha për Kallxocom se PDK-ja ka aq njerëz që i ka lënë jashtë listave, sa nuk do t’u duhet për të marrë njerëz të partisë nga Kuvendi për ta formuar qeverinë.

Edhe ai e pranon që kjo rregullohet me ligj dhe konfirmoj se nuk ka ndonjë marrëveshje mes partnerëve mbi këtë çështje.