Ballkani Perëndimor, krijesë e politikës
Nuk e di nga u nis dhe kur është formuluar termi gjeopolitik “Ballkani Perëndimor”, por jam i sigurt se të drejtën e qytetarisë për t’u njohur e për të qarkulluar në mjedisin politiko-strategjik, gati global, e ka fituar pas takimit të nivelit të lartë të gjashtë shteteve ballkanike në Berlin, në gushtin e 2014-s.
Lajme
Është një emërtim që nuk niset dhe nuk respekton realisht pozicionin gjeografik të shteteve që përfshihen në të. Serbia, Kosova, Maqedonia, madje dhe Bosnja vështirë të konsiderohen “perëndimore” në gadishullin e Ballkanit, krahasuar me Slloveninë, Kroacinë, Malin e Zi, Shqipërinë dhe Greqinë. Prandaj e quaj krijesë të politikës këtë kompozim ndërshtetëror të 6 vendeve të Ballkanit, që u nxit dhe motivohet nga rritja e bashkëpunimit të gjithanshëm mes tyre si një parakusht për përshpejtimin e ritmeve të integrimit evropian të kësaj pjese të gadishullit.
Më pak se 3 muaj na ndajnë nga Samiti i Triestes, që është i katërti në kuadër të zbatimit të procesit të Berlinit. Nga objektivat e përcaktuara 3 vjet më parë në kryeqytetin e Gjermanisë, për përshpejtimin e integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor, aktualisht mund të përmendim si arritje: Nisjen e bisedimeve për anëtarësim në BE të Serbisë dhe Malit të Zi; Republika e Shqipërisë është në prag dhe në pritje të fillimit të bisedimeve për anëtarësim; Republika e Kosovës ka nënshkruar MSA-në dhe është angazhuar seriozisht për mbarëvajtjen e procesit; Bosnja vazhdon të përballet me problemet e saj të përhershme, të brendshme dhe të karakterit gjeopolitik, etnik e fetar; Maqedonia po përjeton ndoshta një prej krizave më të vështira pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.
Samiti i Sarajevës, në kuadër të përgatitjeve për Samitin e Triestes, diskutoi për proceset eurointreguese të rajonit. Në deklaratën e përbashkët, 6 kryeministrat e Ballkanit Perëndimor ranë dakord “për të intensifikuar bashkëpunimin e mëtejshëm ekonomik mes vendeve të tyre dhe ndërtimin e një tregu të përbashkët,që përfshin qarkullimin e mallrave, shërbimeve dhe kapitalit, lëvizjen e lirë të forcës së kualifikuar të punës dhe një hapësirë dinamike investimesh”. Në Samitin e Sarajevës u sugjerua se fuqizimi i bashkëpunimit në kuadër të Ballkanit Perëndimor, përmes projekteve të ndryshme në ekonomi, transport, energji dhe infrastrukturë garanton përshpejtimin e proceseve euro-integruese të tyre.
Thuajse pas një muaji nga Samiti i Sarajevës në politikën zyrtare të tre shteteve të rajonit u shfaq, relativisht ashpër, një përplasje verbale për të sotmen dhe të ardhmen e integrimit në BE të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Zhvillimet më të fundit për këtë çështje, dihen nga mbarë opinioni i interesuar. Dihen deklarimet e Kryeministrit të Shqipërisë dhe të Presidentit të Kosovës për pasojat e mundshme të vonimit, devijimit e nënçmimit të procedurave integruese të këtyre dy shteteve, të njohur botërisht e të afirmuar tashmë si mbështetësit e politikave euroatlantike në shumicën e popullsisë. Dihen, gjithashtu dhe reagimet e menjëhershme të krerëve të lartë të Beogradit ndaj deklarimeve të Ramës dhe Thaçit. E rëndësishme mendoj se është vlerësimi dhe manaxhimi me kujdes i situatës politike aktuale në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Nuk mendoj se ka vlerë të bësh ndonjë parashikim të aktualitetit në vendet tona por, më duket me vend të theksoj se përshpejtimi i eurointregrimit tonë nuk varet aq shumë dhe aq më pak, nuk determinohet nga faktorë ekonomik (krijimi i një hapësire të përbashkët ekonomike), por nga faktorë politik. Krizat aktuale në shumicën perëndimore tonën, në Maqedoni, Shqipëri, Kosovë dhe më kronikja, kriza në Bosnje-Hercegovinë, nuk janë ekonomike. Janë kriza politike dhe natyrshëm mund dhe duhen kuruar me mjete politike. Mendoj se ekonomia i shërben afrimit, bashkëpunimit, mirëkuptimit, madje, dhe njëfarë simpatie njësore me frymëzimin, nxitjen, mbështetjen dhe me hapjen e rrugës nga politika. Qofsha i gabuar në këtë përfundim, por jam i bindur që BE-ja në Ballkanin Perëndimor, edhe pse e krijoi politikisht për ta integruar te vetja, iu shmang politikës. U krijua, u sanksionua dhe vazhdon të konsiderohet bashkëveprues një toponimi ballkanik prej 6 shtetesh, ku bën pjesë edhe shteti më i ri i Evropës, që ende nuk njihet si i tillë nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina. Kurrsesi nuk mund të mohohet ndikimi i euro-atlantikëve mbi Beogradin zyrtar për uljen e tensioneve dhe vazhdimin e dialogut me shtetin e Kosovës në Bruksel. Është i pajustifikueshëm mosvlerësimi i mbështetjes konsekuente të qeverisë së Gjermanisë, që vazhdon të kushtëzojë anëtarësimin e Serbisë në BE me njohjen prej saj të Republikës së Kosovës.
Dëshiroj që BE-ja, në Samitin e Triestes, të na përcjellë mesazhe nxitëse, shprese e motivuese, ku politika, në sugjerime dhe orientime, besoj se do bëjë realitet dëshirën e të gjithë shqiptarëve!
(Autori është nënkryetar i Kuvendit të Kosovës)