Policia nuk e di ku ndodhet Boiken Abazi, paralajmërojnë arrestimin e tij nëse kapet

Në muajin mars të vitit 2016, Ministria e Brendshme e Kosovës mori vendimin për largimin me forcë të Sekretari për Marrëdhënie me Jashtë të Vetëvendosjes, shtetasit të Shqipërisë, Boiken Abazi por ish kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti më 31 gusht u shfaq në Prishtinë në një konferencë për media së bashku me Boiken Abazin.

Lajme

14/09/2016 09:20

Policia e Kosovës njofton se që nga ajo ditë nuk ka dijeni për vendndodhjen e Abazit por në momentin që kapet do dërgohet në gjykatë, shkruan Gazeta Express.

Gjatë konferencës zyrtarët e Vetëvendosjes nënkuptuan se Abazi kishte hyrë ilagalisht në territorin e Kosovës. Por që nga ajo ditë nuk ka asnjë të dhënë nëse Abazi është ende në territorin e Kosovës apo është rikthyer në Shqipëri.

Hyrja ilegale e Abazit është konfirmuar edhe nga Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha i cili në një deklaratë për Gazetën Express njoftoi se ai nuk figuron në sistem i regjistruar se ka hyrë në RKS në mënyrë legale.

Pyetjes se a ndodhet Abazi ende në Kosovë, Hoxha nuk dha përgjigje duke lenë të nënkuptohej se nuk ka ndonjë informacion për vendndodhjen e Sekretarit për Marrdhënie me Jashtë të Lëvizjes Vetëvendosje, Boiken Abazi.

Zëdhënësi Daut Hoxha konfirmoi se për arsyen që Abazi nuk figuron ne sistem i regjistruar se ka hyrë ne RKS ne menyrë legale, ai në momentin që kapet nga Policia do të sillet para gjykatës kompetente për kalim ilegal të kufirit.

Albin Kurti në lidhje me një arrestim të mundshëm të Abazit gjatë konferencës së 31 Gushtit pati shprehur “As e mirëpresim e as e presim policinë në zyrë për ta marrë Boikenin. Do të ishte veprim i padrejtë policor sepse Boikeni ka të drejtë”.