Qendra shëndetësore e mbyllur që 12 vjet (VIDEO)

Në fshatin Kishnarekë të komunës së Drenasit tash e dymbëdhjetë vite është ndërtuar shtëpia e shëndetit, por ka qenë funksionale vetëm dy vjet. Kjo për shkak se stafi mjekësor është larguar nga aty, kurse objekti është shkatërruar nga fshatarët.

Lajme

05/06/2016 14:47

 

Fillimisht gjatë dy viteve të punësuar ishin një mjek dhe dy infermiere. Qendra ishte e pajisur edhe me një barnatore që posedonte barna esenciale, por në komunën e Drenasit e thotë të kundërtën. Derisa drejtori i shkollës, si dhe nënkryetari i fshatit, Elmi Gara thotë se stafi mjekësor është tërhequr, pasi fshatarët kalonin në qendrën familjare në Komoran për shkak se kjo e fundit ofron më shumë shërbime, të kundërtën e thotë zëdhënësi i Komunës, Bekim Dobra, sipas të cilit, kjo qendër nuk ka funksionuar asnjëherë sepse nuk i kishte plotësuar kushtet tekniko-hapësinore.

“Kjo është ndërtuar diku në vitin 2004, është financuar nga Bashkësia Islame, është lëshuar një herë në përdorim, mjeku ka ardhur dy herë në javë, dy motra medicionale kanë punuar, mirëp o, problemi ka qenë se njerëzit, fshati nuk vinin në ambulanca këtu, më shumë kanë shkuar në Drenas dhe Komoran, shumë pak ka pasur vizitor dhe kjo ka qenë arsyeja. Pastaj është tërhequr stafi mjekësor dhe kanë kaluar atje ku edhe është ndërtuar shtëpia e shëndetit në Komoran që i ka të gjithë repartet, analizat e gjakut, të gjitha edhe barnatoret. Tash kjo ambulant është demoluar nga disa fëmijë të pandërgjegjshëm dhe kjo tash ka mbetur e tillë. Shpesh herë kryesia e fshatit kanë marrë iniciativë dhe kanë pastruar dhe e kanë rregulluar, një herë edhe dritaret i kemi rregulluar por përsëri i kanë thyer dhe kanë mbetur në këtë gjendje”, tha Gara.

Drejtori i shkollës, Elmi Gara gjithashtu bëri të ditur për KosovaPress se kjo qendër i ka plotësuar të gjitha kushtet që është dashur t’i ketë, mirëpo tash i tërë objekti është demoluar. Ai shtoi se kryetari i komunës ka premtuar që së shpejti objekti do të rinovohet dhe do të futet prapë në funksion.

“Problemi është se nuk po lejohet edhe stafi mjekësor,megjithëse kryetari i komunës na ka premtuar që shumë shpejt do të rinovohet përsëri dhe do të vjen stafi mjekësor. Po i ka pasur kushtet, mjeku i përgjithshëm ka qenë, edhe dy motra medicionale, barnatore ka pasur, disa barna esenciale që është dashur t’i ketë, mirëpo ato janë demoluar nga pakujdesia e disa njerëzve. Vetëm dy vite ka funksionuar, kërkesën e kemi bërë por tani kanë punë të rinovojnë përsëri. Përgjigja ka qenë pozitive por ende nuk është marrë një iniciativë e tillë, kërkesat vazhdimisht i kemi bërë, ka premtime por nuk e dimë sa realizohet. Kjo ambulant tash po e shohim që ka një nevojë të madhe për arsye se kemi rreth 460 nxënës, ka raste që sëmuret nxënësi d he kjo është e mirëseardhur të hapet”, tha Gara.

Zëdhënësi i komunës së Drenasit, Bekim Dobra e ka thënë të kundërtën, pasi që sipas tij, Qendra e Shëndetësisë Familjare nuk i ka plotësuar kushtet tekniko-hapësinore.

“Ambulanca në fshatin Kishnarekë është ndërtuar, mirëpo për momentin nuk i plotëson kushtet tekniko-hapësinore dhe komuna e ka parë të arsyeshme për momentin të mos jetë funksionale kjo ambulant, derisa t’i plotësoj të gjitha kushtet dhe të jetë me staf profesional, punëtor teknik, pastrues dhe të gjitha, po ashtu t’i plotësoj edhe kushtet dhe kriteret në bazë të numrit të banorëve të cilat i ka zona e fshatit Kishnarekë. Banorët mund ta shohin vetëm si objekt të ndërtuar dhe jo në anën profesionale, nga ana profesionale që komuna ka bërë vlerësim in, është vërtetuar që ai objekt nuk i plotëson kushtet teknike dhe hapësinore të jetë për momentin funksional. Politikat zhvillimore të komunës janë që ai objekt të jetë funksional dhe shumë shpejt pritet të bëhet një rinovim dhe të jetë i përdorshëm për banorët e atij fshati”, tha ai.

Përkundër asaj se pranimi teknik i kësaj qendre shendetësore është bërë nga komuna e Drenasit, Dobra thotë se që nga ndërtimi kjo qendër nuk ka qenë funksionale.

“Realisht ajo që prej ndërtimit nuk është funksional tash është në procedurë e sipër që të bëhet rinovimi i saj dhe të jetë funksional. Një kohë ka qenë në funksionale deri diku në vitin 2008, pastaj punimet nuk kanë përfunduar siç duhet dhe janë shfaqur probleme teknik dhe demolomi i objektet, për këtë arsyeje komuna ka paraparë më të arsyeshme që objekti të mos jetë fillimisht funksional, pasi që ka qendra të ambulantes për rreth fshatit Kishnarekë deri sa të bëhet një rinovim i detajuar i objektit dhe të bëjmë disa prerje të punimeve dhe të shikohet mundësit se sa është vlera që do t’i bëjë komuna gjatë këtij investimi. Drejtoria e Shëndetësisë dhe e Mirëqenës Sociale e ka bërë një plan paraprak për disa vlera se sa mundet të kushtoj, sigurisht që shumë shpejt mund të ndodh që edhe me rishikim të buxhetit të bëhen disa riparime në këtë objekt dhe të shikohen mundësit që prej shtatorit të bëhet funksional”, tha Dobra.

Dobra tha se komuna nuk mund të premtojë saktë së kur do të rinovohet por gjasat janë që në shtatorit të këtij vitit të fillojnë punimet në mënyrë që në fillim të vitit të ardhshëm të jetë gati objekti./kp

YouTube player