Kokoina e Xibrakës, zbardhet roli i Ermal Hoxhës

Dy prokurorët Olsian Çela dhe Edvin Kondili kanë përfunduar hetimet, duke dërguar në gjyq dosjen penale për akuzat e “trafikut ndërkombëtar të drogës në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”, ndaj 9 të pandehurve të laboratorit të kokainës, i zbuluar në Xibrakë të Elbasanit.

Lajme

28/03/2016 09:22

Akuzat ndaj të pandehurve, sipas prokurorisë janë përforcuar me të tjera prova të ardhura nga Gjermania, të cilët kanë qenë edhe iniciatorët e nisjes së këtij hetimi, që përfundoi me zbulimin e laboratorit të kokainës në Xibrakë.

Burimet thanë se krahas sekuestrimit të 20 kg kokainë dhe shumës prej rreth 300 mijë eurove kesh, ekspertët e policisë shkencore kanë konstatuar se në solucionin kimik që ndodhet në rreth 50 fuçitë e hekurit, të cilat u gjetën brenda magazinës së transformuar në laborator, ka kokaine.

Ekspertët thonë se nga analizimi e këtij solucioni, rezulton se dy kolumbianët kanë kryer një proces kimik duke nxjerr rreth 20 kg kokainë, e cila është bllokuar. Ndërsa pjesë tjetër, që ndodhet në këto fuçi hekuri, është e pa ekstraktuar dhe nuk është arritur të përcaktohet sasia e kokainës që ndodhet e shkrirë brenda këtij solucioni.

Sipas akuzës, gjatë hetimeve nuk është arritur të provohet koha dhe kompania që ka sjellë në Shqipëri solucionin dhe thasët e mbushura me pleh kimik, ku dyshohet se ka ekstrakt kokaine të shkrirë brenda tyre. Për hetuesit është e qartë, është fakti se droga e shkrirë në solucionin kimik ka ardhur nga Kolumbia dhe Bolivia në Shqipëri me ndihmën e të shpallurit në kërkim Genci Xhixha.

Ai bashkë me lëndën narkotike, ka sjellë në Shqipëri me cilësinë e ekspertëve edhe dy kolumbianët e arrestuar në laborator, të cilët kryenin procesin kimik të nxjerrjes së ekstraktit të kokainës.

Në dosje thuhet se nipi i Enver Hoxhës, i pandehuri Ermal Hoxha dyshohet se përveç kontaktit me furnitorin Genc Xhixha ishte përgjegjës për dy kolumbianët, si në akomodimin e tyre, transportin nga Tirana në Elbasan dhe anasjelltas si dhe pagesat për punën që bënin.

I arrestuari Gentjan Gjonaj dyshohet se ishte personi që kishte gjetur vendin dhe më pas ngritjen e laboratorit të drogës, duke premtuar mos cenimin e tij. I dyshuari Sajmir Batku ishte caktuar për transportin e drogës nga Elbasani në Tiranë dhe më pas gjetjen e korrierëve të drogës për ta dërguar atë në Gjermani.

I arrestuari Ilir Hyseni, dyshohet se ishte pritësi dhe personi që do merrej me shpërndarjen e kokainës. Ndërsa dy vëllezërit Klemend dhe Arian Dalipi janë pronarët e magazinës së Xibrakës, ku ishte ndërtuar laboratori i drogës dhe merreshin me sigurinë e tij. /Shekulli