Dy ditë zie në Tetovë
Nesër dhe pasnesër në Tetovë do të mbahet zi për viktimat që humbën jetën gjatë vërshimeve të djeshme.

Lajme
Kryetari i Këshillit të Komunës së Tetovës, Hisen Xhemaili ka bërë të ditur se do të mbahen dy ditë zie në Tetovë. Sipas tij, sot ka mbajtur mbledhje Këshilli i emergjencës, i cili ka vendosur që urgjentisht banorëve të rrezikuar t’iu sigurohet ujë i pijshëm, ushqim i sigurt dhe medikamente.
“Jemi duke angazhuar maksimalisht që banorëve shqiptarë t’u dalim në ndihmë. Në mbledhjen e sotme të Këshillit të emergjencës hartuam planin se si popullatës së rrezikuar t’iu sigurohet ujë i pijshëm, ushqime dhe medikamente”, ka deklaruar për Zhurnal Hisen Xhemaili.
Xhemaili ka informaur se për çdo viktimë që humbi jetën në Tetovë, Këshilli komunal ka vendosur që familjarëve të tyre t’iu jep një ndihmë emergjente nga 1.000 euro për person. Po ashtu nesër dhe pasnesër në Tetovë do të shpallet ditë zie.
“Nesër dhe pasnesër vendosëm që në Tetovë të shpallet Ditë zie për të nderuar viktimat e fatkeqësisë natyrore. Këshilli komunal unanimisht vendosi që fillimisht t’iu ndihmojë familjarëve të viktimave me nga 1.000 euro për çdo person që humbi jetën tragjikisht në përmbytjet e djeshme”, tha Xhemaili për Zhurnal.
Ai informoi se në teren ka dalë edhe ushtria e cila është në kërkim të një fëmije i cili është shpallur i zhdukur në fshatin Shipkovicë të Tetovës. Mësohet se pasi të gjendet trupi i fëmijës atëherë ushtria do të aktivizon edhe makinerinë për të pastruar rrënojat.