Lubonja: Refuzimi i Gjykatës i ndihmon idesë se Kosova është Shtet i Dështuar
Është e qartë se shumica e atyre që nuk e pranojnë një Gjykatë Speciale nuk e kanë ndërgjegjen të pastër përpara ligjit. Është një triumf i kulturës sonë tradicionale të pandëshkueshmërisë së të fortëve që mbajnë peng shoqërinë me arrogancën dhe dhunën e tyre, vlerëson publicisti Fatos Lubonja.
Lajme
Refuzim i tillë nuk shkon në të mirë të idesë se Kosova premton të bëhet një shtet i suksesshëm jo i dështuar. Dhe përgjegjësia e klasës politikë për këtë është evidente.
Express: Si e shihni ju dështimin e Kosovës që të themelojë një Gjykatë Speciale e cila ishte paraparë që të merret me hetimin e krimeve të luftës të kryera nga UÇK’ja?
Fatos Lubonja: Kudo ku ka pasur luftëra etnike si ato që ndodhën së fundi në Ballkan, ka qenë e vështirë të ndahet qartë kufiri në gjykimin e atyre njerëzve që kanë vrarë – nëse këta do të duhet të quhen vrasës apo heronj; nëse duhet të shkojnë në gjyq apo tu ngrihen monumente. Në këtë kufi të papërcaktuar qartë hyjnë shpesh edhe vrasjet e të pafajshmëve, civilëve, që, sipas ligjeve të së drejtës, hyjnë në krime lufte. Sepse jo rrallë edhe ato krime justifikohen me luftën, gjendjen shpirtërore të luftëtarëve etj. Aq më e komplikuar bëhet gjëja kur këta luftëtarë, pasi kanë bërë një luftë që konsiderohet çliruese apo mbrojtëse nga një pastrim etnik, kanë marrë edhe pushtetin, siç ka ndodhur në Kosovë.
Është e qartë se shumica e atyre që nuk e pranojnë një Gjykatë Speciale nuk e kanë ndërgjegjen të pastër përpara ligjit dhe duke e refuzuar atë kërkojnë të mbrohen duke e futur veten në brezin kufitar të papërcaktuar qartë për të cilin fola më sipër, të mbrohen, pra, nga ligji me mitin e luftës çlirimtare, por edhe me pushtetin që kanë marrë pas luftës. E duke qenë përfaqësues të popullit të Kosovës ata, dashur pa dashur, implikojnë edhe këtë popull që përfaqësojnë në vendimin e tyre. Nuk mohohet, megjithatë, se një pjesë e mirë e popullit i mbështet sinqerisht ata sepse është ushqyer apo manipuluar me narracionin e tyre mbi këtë luftë, çka për mua ka një të keqe të madhe sepse një narracion i tillë i luftës, që justifikon edhe vrasjen e të pafajshmëve dhe civilëve, mund të prodhojë nesër luftëra dhe viktima të tjera.
Tek e fundit, nëse mund të flitet për një dështim me mosthemelimin e kësaj Gjykate ky, sipas meje, është dështim në ecjen e një populli përdrejt më shumë pjekurie e mençurie pas përvojave të hidhura; përdrejt më shumë vështrimi vetëkritik, drejtësie dhe kulture të paqes. Thënë ndryshe është një triumf i kulturës sonë tradicionale të pandëshkueshmërisë së të fortëve që mbajnë peng shoqërinë me arrogancën dhe dhunën e tyre.
Express: Amerikanët dhe evropianët kanë kërkuar miratimin e kësaj Gjykate në të kundërtën do të themelohet një Tribunal nga OKB’ja me iniciativë të Rusisë. Në fakt, ku e kanë dërguar deputetët e Kosovës shtetin e tyre?
Fatos Lubonja: Në rastin e Kosovës çështja sipas meje bëhet delikate për disa arsye ndër të cilat po veçoj vetëm dy: Së pari, se lufta u bë së bashku me aleatët perëndimorë e madje pa ta ajo nuk do të ishte fituar prandaj do të duhej të respektohej edhe vullneti i tyre për të bërë transparencën dhe drejtësinë e kësaj lufte duke i çliruar edhe ata nga akuza që kanë filluar të marrin jo pak terren në Perëndim se kanë bërë një luftë të padrejtë duke krijuar një shtet tejet problematik në Ballkan.
Së dyti, sepse Kosova nuk është njohur ende nga të gjithë si shtet sovran dhe refuzim i tillë nuk shkon në të mirë të idesë se ajo premton të bëhet një shtet i suksesshëm jo i dështuar, një shtet pra i së drejtës, pra do të vononte mbajtjen e Kosovës në një gjendje që nuk është në të mirë as të vetë popullit të Kosovës dhe as të rajonit.
Express: Cila është e ardhmja e Kosovës, me këtë klasë politike që e ka rrëzuar për tokë sistemin e drejtësisë, cila refuzon të themelojë një mekanizëm të drejtësisë, i cili do të merrej me dyshimet e ngritura nga Senatori zviceran, Dick Marty?
Fatos Lubonja: Gjithsesi, për mua mbi të gjitha ndërtimi i një shteti të së drejtës është para së gjithash një çështje që ka të bëjë me besimin e popullit të Kosovës tek shteti i vet. Ikja e një numri të madh kosovarësh drejt Perëndimit apo drejt ISIS-sit vetëm një dekadë e gjysmë pasi ishin gati të jepnin jetën për të pasur shtetin e tyre tregon se diçka e rëndë ka ndodhur me aspiratën e tyre për të pasur një shtet ku do të ndjeheshin gjithnjë e më mirë. Dhe përgjegjësia e klasës politikë për këtë është evidente. Nuk ka luftë çlirimtare që i çliron ata nga mëkatet e kësaj dekade e gjysmë, madje shteti i dështuar që kanë ngritur e komprometon edhe atë luftë. Sepse të mos harrojmë se kur flitet për të një ardhme të Kosovës nuk duhet të flitet vetëm për të ardhmen e kufijve të Kosovës si shtet, siç bëjnë shumë, por për të ardhmen e kosovarëve si individë, si shoqëri, që kërkon të jetojnë në një shtet ku të ketë punë e mirëqenie ashtu sikurse liri, dinjitet, drejtësi dhe barazi përpara ligjit.