Analistët: Edi Rama opsion i Merkelit për lider të Ballkanit perëndimor
Florian Bieber nga Qendra e Studimeve për Evropën Juglindore në Universitetin e Grazit në Austri, i cili ndodhet në Tiranë, thotë se vizita e Angela Merkel në Tiranë nënkupton ripërfshirjen e Gjermanisë në Ballkanin perëndimor.
Lajme
Në një intervistë për Top Channel, Bieber thekson se Gjermania ka shtuar interesimin ndaj këtij rajoni, sidomos në raportin Tiranë – Beograd.
“Mendoj se kjo vizitë lidhet me ripërfshirjen e Gjermanisë në Ballkanin Perëndimor. Tani ne shohim një interes të shtuar të Gjermanisë, e cila i vlerëson si tejet të rëndësishme marrëdhëniet mes Tiranës dhe Beogradit. Gjermania tashmë e ka kuptuar rëndësinë e Ballkanit dhe dinamikën pozitive të rajonit”, thotë Florian Bieber.
I pyetur se nga vjen pikërisht tani ky interes në rritje nga Gjermania për rajonin e Ballkanit, Bieber thotë se kjo bazohet më së shumti në të kuptuarin se zgjerimi BE-së nuk është duke funksionuar siç duhet për momentin.
Ndërsa Gabriel Partosh, analist për rajonin në “The Economist Intelligent Unit” në Londër, jep këtë përkufizim për ardhjen e Merkel në rajon.
Edhe Partosh u pyet se përse ky rol aktiv dhe i shtuar nga Gjermania pikërisht tani, ndërsa ai tha se askush në Evropë nuk e ka vullnetin ta bëjë një gjë të tillë, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës të përfshira me zhvillimet në Lindjen e Mesme.
“Unioni Evropian është i tejmbushur me problemet e brendshme, si Greqia apo edhe Britania me referendumin. E gjithë kjo situatë e largon vëmendjen nga Ballkani përveç gjermanëve, të cilët edhe ata kanë probleme me BE-në, por të paktën tregojnë se kanë energji të merren me Ballkanin. Por përse dhe përse tani? E veçanërisht që prej vitit të shkuar. Mendoj se kjo lidhet me rrezikun që i kanoset BE-së, e në veçanti integrimit të vendeve aspirante, duke humbur shpejtësinë siç ndodhi me Maqedoninë, një vend që pret e pret pafundësisht, pasi ka 10 vite që është vend kandidat. E kështu, gjermanët mendojnë se ky mbase është rasti për t’u dhënë fund zvarritjeve të BE-së, duke u siguruar se progresi të paktën për Kosovën mund të arrihet. Prandaj Merkel do të vizitojë edhe Beogradin, dhe Tiranën, e në këtë rast merr rëndësi të posaçme. Merkel kërkon të sigurojë mbajtjen e premtimeve nga serbët dhe ata kontribuojnë në normalizimin e marrëdhënieve. Nga ana tjetër, Shqipëria duhet të luajë një rol të përgjegjshëm në lidhje me shqiptarët e Kosovës, ata në Maqedoni dhe rajon”, ka theksuar Partosh.
Partosh thotë se me vet faktin se Merkel ndodhet në prag të takimit të tretë brenda një viti me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, kancelarja gjermane është duke kërkuar një lider në rajon.
“Ajo nuk ka shumë zgjedhje në këtë rast. Qartësisht Edi Rama potencialisht mund të jetë një prej udhëheqësve. Natyrisht për Gjermaninë dhe rajonin, Serbia është padiskutim me rëndësi, është një prej vendeve më të forta, i cili është parë në citimet ruse me një lloj flirtimi në distancë. Merkel kërkon siguri që Serbia mos të dalë nga rrugëtimi evropian. Vuçiq shihet si një kryeministër pragmatist. Unë nuk do t’i vendosja të gjitha paratë në një bast për Edi Ramën, për atë që ju më pyesni, por natyrisht për Merkel, Rama shihet si një figurë e rëndësishme në rajon, së bashku me kryeministrin Vuçiq”, ka theksuar ai.