Vëllai i Mirsad Ndrecajt: Riza Jonuzi nuk është tradhtari, e ftojmë për ngushëllime

Ylber Ndrecaj, vëlla i Mirsad Ndrecajt, i rënë dy javë në parë në ngjarjet e Kumanovës, ka deklaruar për “Zëri”, se ai, familja Ndrecaj dhe të gjithë bashkëluftëtarët e Mirsadit nuk e kanë asnjë pikë dyshimi në Riza Jonuzin, emri i të cilit është përfolur ditëve të fundit si personi që e ka tradhtuar grupin e luftëtarëve në Kumanovë.

Lajme

24/05/2015 17:03

Ai ka thënë se Jonuzin e njohin shumë herët dhe e kanë mik të afërm të familjes, prandaj nuk dëshirojnë që dyshime të tilla të rëndojnë mbi të.

“Rizën e kemi pasur mik të familjes dhe e kemi mik të familjes edhe sot. Ai ka qenë bashkë me Mirsadin në burg e gjithashtu ka qenë miku më i mirë i Mirsadit nga lufta në Maqedoni në vitin 2001. Ne nuk kemi asnjë dyshim se Riza e ka tradhtuar Mirsadin dhe shokët e tij, prandaj e ftojmë Rizën dhe familjen e tij që lirisht të vijnë për kryeshëndosh dhe të marrin pjesë në të gjitha ceremonitë tjera mortore”, ka thënë Ndrecaj për “Zëri”.

Riza Jonuzi
Riza Jonuzi

Ai është shprehur i indinjuar me keqpërdorimin e deklaratës së tij, pasi disa portale kanë raportuar kinse është Ndrecaj ai i cili e ka cilësuar Jonuzin si tradhtar.

“Unë nuk kam dyshim në Rizën e as në askënd tjetër, përpos në Ali Ahmetin, siç kam deklaruar më herët. Unë dhe familja nuk dëshirojmë ta etiketojmë askënd. Dëshirojmë që të jenë organet kompetente ato që do ta zbardhin në tërësi ngjarjen e Kumanovës”, ka përfunduar Ndrecaj.

Ndryshe, familja Ndrecaj dhe familja Zymberi në Gjakovë të dielën kanë hapur dyert për ngushëllime për dy familjarët e tyre, Mirsad Ndrecaj dhe Xhafer Zymberi.

Sipas familjarëve, varrimi i tyre do të bëhet të martën në Varrezat e Dëshmorëve në Prishtinë bashkë edhe me pjesëtarët tjerë të grupit.

Mirsad Ndrecaj
Mirsad Ndrecaj