Ligji për Sigurimet Shëndetësore nuk po zbatohet

Ndonëse Ligji për Sigurimet Shëndetësore ka marrë pëlqimin e deputetëve dhe është miratuar në Kuvendin e Kosovës vitin e kaluar, ky ligj ende nuk po gjen zbatim.

Lajme

13/04/2015 21:04

E ata që po pësojnë në vendin e tyre të punës, e ndjejnë më së shumti mungesën e këtij ligji.

Zjarrfikësi Ismet Kaçiku mbeti i shtrirë e përplot plagë, pas një aksidenti që e pësoi në krye të detyrës.

Ai u lëndua derisa po provonte ta fikte zjarrin që e kishte kapluar një objekt të moçëm të Mitrovicës, para disa javësh.

Por tash, në mungesë të sigurimit shëndetësor, të gjitha trajtimet e plagëve që i mori duhet t’i paguajë nga xhepi i vetë.

Edhe kryesindikalisti i Zjarrfikësve të Kosovës, Muharrem Beka shpreh shqetësimin e tij për heshtjen e institucioneve karshi kësaj çështjeje.

“Ne kemi ngre shqetësimet dhe shtrohet pyetja… kontributi jonë të cilin e japim kurt me angazhimin tonë me specifikat tona ku drejtpërdrejt e vejmë jetën ne rrezik për interesin e qytetarëve”, tha Beka.

Të njëjtin hall me zjarrfikësit e kanë edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës. Kryetari i sindikatës së policëve, Shaban Tasholli thotë se sigurimi shëndetësor për këtë kategori duhet të trajtohet me prioritet nga institucionet e vendit.

“Për mendimin tim, Kontrata Kolektive, rritja e rrogave nuk ka kurrfarë efekti mos me pas sigurim shëndetësor”, tha ai.

Ndryshe, Ligji për Sigurimet Shëndetësore ka marrë pëlqimin e deputetëve dhe është miratuar në Kuvendin e Kosovës vitin e kaluar, por ende nuk ka gjetur zbatim.

RTK mëson se Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale do të diskutojë së shpejti për zbatueshmërinë e këtij ligji bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Imet Rrahmani.

Sidoqoftë, Ligji për Sigueime Shëndetësore pritet të jetë i zbatueshëm në vitin 2016, raporton RTK.