AAK: Kushtetuta për 7 vjet u shpërfill e u shkel
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), në 7 vjetorin e Ditës së Kushtetutës të Kosovës, vlerëson se kjo dit shënon një prej momenteve më të veçanta në historinë më të re të Kosovës shtet sovran e të pavarur.
Lajme
Por, Departamenti për Drejtësi i AAK-së, me anë të një komunikate, ka vlerësuar se për 7 vjet Kushtetuta e Kosovës është shpërfillur, nuk është zbatuar, kurse nuk është shtrirë dhe as që zbatohet në veri të vendit.
“Departamenti për Drejtësi i AAK-së thekson se Kushtetuta e vendit tonë, në jo pak raste, në vend të përfilljes është shpërfillur e në vend të zbatimit, ajo është shkelur, kurse në veri të vendit ajo nuk është shtrirë e as nuk është implementuar fare”.
“Me këtë papërgjegjësi të qeverisë dhe institucione të vendit, duke u shkelë Kushtetuta, është shkelë shteti, duke u injoruar e manipuluar Kushtetuta, është kapur shtetit, e duke u mohuar Kushtetuta, është mohuar Republika, është mohuar Pavarësia”.
“Departamenti për Drejtësi i AAK-së, fton në respektimin e shtetit dhe në respektimin e Kushtetutës dhe kujton që Kosovën shtet të së drejtës mund ta bëjmë, përfundimisht, vetëm e vetëm duke e respektuar Kushtetutën dhe aktet ligjore të saj”, thuhet në komunikatë.