Ndërkombëtarët paralajmërojnë: Korrupsioni nuk po luftohet

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) vlerëson se sistemi prokurorial në Kosovë është i dobët pasi nuk ka arritur të ulë numrin e rasteve të pazgjidhura të korrupsionit.

Lajme

08/04/2015 14:09

IKD vlerëson shqetësuese mënyrën e zgjidhjes së rasteve, pasi që më shumë se gjysma e tyre raste janë të hedhura apo pushuara. sipas tyre, kjo dëshmon për probleme serioze të parashtruesve të rasteve dhe prokurorëve, dhe se duhet analizuar nga mekanizmat e brendshëm të Këshillit Prokuroria të Kosovës.

Këto vlerësime u thanë në një tryezë të organizuar nga IKD, ku edhe është publikuar raporti i katërt periodik për Planin e Veprimit të sistemit prokurorial në luftimin e korrupsionit.

Këshilli Prokurorial i Kosovës, me 4 nëntor të 2013-ës ka nxjerrë Planin e Veprimit për Rritjen e Efikasitetit të Sistemit Prokurorial në Luftimin e Korrupsionit.

Me hyrjen në fuqi të këtij plani të veprimit ,sipas IKD-së, prokuroritë kanë pasur në punë 516 raste të pazgjidhura me 1682 persona. Në raportin e IKD-së, thuhet e me 31 dhjetor të 2014-ës, kanë mbetur 530 rase të pazgjidhura me 1556 persona. Pra, sipas tyre, ka një rritje të numrit të rasteve të pazgjidhura dhe zvogëlim të numrit të personave ndaj të cilëve nuk janë zgjidhur rastet.

Në një tryezë të organizuar nga IKD, ku të pranishëm ishin prokurorë e gjyqësorë, përfaqësues të ambasadave të huaja në Kosovë, koordinatorë nacional kundër korrupsionit, protagonistët në çështjet e luftimit të korrupsionit, u vlerësua se duhet ngritur transparenca publike dhe llogaridhënia, transmeton KosovaPress.

Betim Musliu, nga IKD, vlerëson se nëse analizohet numri i rasteve në fillim, me 4 nëntor 2013 dhe numri i rasteve të pranuara gjatë Planit të Veprimit deri me 31 dhjetor 2014, rezulton se prokuroritë kanë pasë në punë 1064 raste me 2709 persona.

“Ajo që është shumë shqetësuese dhe që mund ta vëreni në raport në secilën periudhë, është fakti se ende kemi raste të korrupsionit të cilat janë parashtruar qysh prej vitit 2001, këto raste janë ende të pazgjidhura. Natyrisht ky është një dekurajim shumë i madh për të gjithë ata denoncues të korrupsionit të cilët ia kanë besuar sistemit të drejtësisë një rast për ta zgjidhur, për ta fituar drejtësinë. Dhe në fund po e shohim që të gjitha ato raste që janë parashtruar në këto vite të largëta viti 2001 e tutje, ose janë parashtruar ose do të parashtrohen sepse nuk ka gjasa teorike që në ato mund të gjendet diçka”, tha ai.

Ndërsa ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të shtetit Sylë Hoxha ka thënë se ngritja e transparencës dhe llogaridhënies është parakusht për të ngritur vetëdijen tonë.

“Ngritja e transparencës dhe llogaridhënies është dhe duhet të mbetet një parakusht për të ngritur edhe më tutje vetëdijen tonë në kryerjen e obligimeve tona me obligimet ligjore. Ngritja e transparencës dhe llogaridhënies nuk duhet ta frikësojnë askënd, përkundrazi duhet informuar qytetarët dhe publikun për punën tonë të përditshme dhe të palodhshme, të gjithë neve, prokurorëve dhe gjithë stafit nëpër të gjitha prokuroritë, tha Sylë Hoxha.

Nga ana tjetër Louise Taylor, zëvendësambasadore nga Britania ka kërkuar rritje të transparencës publike.

“Është shumë e nevojshme që në tërë këtë proces të punës, të sigurohet transparenca para publikut dhe të rritet llogaridhënia. Këto janë parime bazë të vlerave europiane, të mishëruara nga vlerat relevante ndërkombëtare. Prandaj, qytetarët e Kosovës kanë nevojë dhe të drejtë të shohin rezultate konkrete të punës suaj”, tha ajo.

Edhe Michelle Lakomy, nga ambasada amerikane, tha se pa sundimin e ligjit, zhvillimi ekonomik është i vështirë. “Korrupsioni të qon drejtë mos efikasitetit të investimeve publike, si infrastruktura dhe të mirat e tjera publike. I pengon me e ulë varfërinë dhe abuzon me të drejtat e njeriut, i shkelë ato. Është një hap shumë kritik të luftosh korrupsionin në Kosovë, sistemi i drejtësisë e ka një obligim, detyrim, për të vazhduar me ndjekjet penale të rasteve të korrupsionit. Dhe, kur ndëshkon korrupsionet ,transparenca dhe llogaridhënia tregojnë edhe hapat e hershëm të korrupsionit më vonë”, tha ajo.

Ndërsa, koordinatorja nacionale kundër korrupsionit, Laura Pula, vlerëson se Plani i Veprimit është realizuar. Veçse, sipas saj, të njëjtën shqetësim e ka edhe ajo, atë të llogaridhënies e transparencës.

Edhe Gjyqësori i Kosovës vlerëson se duhet të ketë rritje të transparencës dhe llogaridhënies. Enver Peci tha se që nga 2012-a, Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka vendosë që lëndët e korrupsionit t’i trajtojë me prioritet.

Derisa zyra e prokurorit disiplinor, u zotua se të gjeturat nga ky raport do të hetohen shumë seriozisht dhe me profesionalizëm të lartë.