Kosova drejt finalizimit të kritereve për heqjen e vizave

Institucionet e Kosovës vlerësojnë se deri në muajin maj të këtij viti do të përmbushen të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave për qytetarët e vendit.

Lajme

06/04/2015 19:00

Adrian Prenkaj, këshilltar për integrime europiane i presidentes Atifete Jahjaga, ka konfirmuar për Top Channel se më 20 prill do të vlerësohen punët e kryera në këtë drejtim.

“Jemi në fazën e fundit të përmbushjes së kritereve të mbetura në dialogun për liberalizim të vizave. Presidentja Jahjaga do të thërrasë më 20 prill takimin e radhës të Këshillit Kombëtar për integrim europian, ku do të vlerësohet progresi i deritanishëm, si dhe hapat e ardhshëm në përmbylljen me sukses të këtij procesi”, deklaroi Prenkaj.

Pas përmbushjes së kritereve teknike, mbetet që Bashkimi Europian të marrë vendimin politik për datën e heqjes së vizave për kosovarët.

Krahas këtij procesi, Prenkaj tha se Presidentja e shtetit po koordinohet me të gjitha institucionet edhe për përmbylljen e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

“Kosova së shpejti pritet të nënshkruajë edhe Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, që është hapi i parë në procesin e integrimit europian. Ajo pritet të nënshkruhet në fillim të verës së këtij viti”, ka thënë Prenkaj.

Pas liberalizimit të vizave dhe MSA-së, sipas Prenkajt, Kosova do të aplikojë për anëtarësim edhe në Këshill të Europës dhe kjo, sipas këshilltarit të Presidentes, do të bëhet në përputhje me strategjinë e vendit për anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare. /Top Channel/