Ende mungon vullneti politik për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar
Ditë më parë, revista gjeopolitike “Limes” ka publikuar hartën që përshkruan qendrat e krizës në vendet fqinje të Italisë, ku mes të tjerash Kosova dhe Mali i Zi janë trajtuar si "shtete mafioze", për shkak të nivelit të krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Lajme
Artan Demhasaj nga Lëvizja “Çohu”, ka thënë për KosovaSot se krimi i organizuar, korrupsioni dhe pasurimi i paligjshëm, janë tema për të cilën nuk ka vullnet politik që të trajtohen.
“Prej pasluftës e deri më tani qëllimisht institucionet e vendit kanë lejuar që këto fenomene negative të zhvillohen dhe gradualisht ta kapin shtetin. As dhe një rast i madh kundër krimit të organizuar, korrupsionit apo pasurimit të paligjshëm deri më tani nuk ka përfunduar me dënimin e merituar, kjo jo për arsye se nuk ka bazë ligjore, të paktën për krim të organizuar dhe korrupsion, por ka munguar vullneti politik, e si pasojë e mungesës së vullnetit politik kemi edhe një gjyqësor të dobët, ndër më të dobëtit në rajon”, ka thënë Demhasaj.
“Kjo ndodhë për arsye se gjyqësori është i ndikuar nga politika dhe qëllimisht politika ka lejuar që gjyqësori të dobësohet dhe të vijë në këtë pikë, në mënyrë që krimet perfide të politikës ky gjyqësor mos të ketë mundësi t’i hetojë dhe t’i gjykojë”, ka thënë ai.
Ndërkaq drejtuesi i Agjencisë Kundër Korrupsion, Hasan Preteni ka thënë për gazetën se në bazë të raporteve që i publikojnë del se në Kosovë ka shumë korrupsion, që pak po hetohet dhe si rrjedhojë nuk po gjykohet fare.