Kosova ekstradon shtetasin maqedonas Almir Drljanin
Almir Drljanin, shtetas i Maqedonisë, i arrestuar nga Policia e Kosovës në fund të korrikut të vitit 2012, të hënën është ekstraduar në Maqedoni. Ai pasi ka mbërritur nën masa të forta sigurie, menjëherë është dërguar në burgun e Shtipit.
Lajme
Ndaj këtij shtetasi 33 vjeçar, MPB e Maqedonisë kishte shpallur fletë arrest ndërkombëtar nga viti 2008, pasi që ai është akuzuar dhe dënuar me burgim të përjetshëm nga gjyqësori i Maqedonisë.
Sipas MPB-së, ai ka kryer vepra të ndryshme penale, ndërsa mbi të rëndon akuza për pjesëmarrje në vrasjen e policit të njësitit Alfa, Afrim Arifi, më 26 nëntor 2008 pranë Fakultetit të shkencave matematiko-natyrore në Shkup, ndërsa tre policë të tjerë mbetën të plagosur gjatë patrullimit të tyre. Pikërisht për këtë vepër ai u dënua me burgim të përjetshëm, së bashku me Rexhail Qerimin, nga fshati Opajë i Kumanovës, i cili përmes dëshmive dhe avokatëve mbrojtës ka dëshmuar për pafajësi dhe rast të montuar ndaj tij.
MPB ndaj tij Drljaninit ka renditur edhe disa akuza mbi grabitjen e bankave, postës, argjendtarive dhe vjedhje të tjera të kryera gjatë periudhës 2006 – 2012.
Policia e Maqedonisë ka hedhur dyshime se i arrestuari mund të jetë i përfshirë edhe në vrasjen e pesëfishtë në Smilkovc të Shkupit, pasi që gjatë bastisjes së banesës ku jetonte ai është gjetur një arsenal i madh armësh dhe materiale të dyshimta, raporton agjencia Ina.