Pa e tejkaluar çështjen e emrit, Maqedonia nuk mund të hyjë në NATO

Sonte në Tetovë, kreu Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti priti ministrin e Punëve të Jashtme të Austrisë, Sebastian Kurz.

Lajme

20/01/2015 22:38

Ahmeti tha se nevojitet ndërhyrje e fuqishme ndërkombëtare në kontestin midis Shkupit dhe Athinës sepse, pa e tejkaluar çështjen e emrit, Maqedonia nuk mund të anëtarësohet në NATO e as të fillojë bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“NATO sjell paqe të qëndrueshme, stabilitet dhe siguri, por edhe garanton marrëdhënie të shëndosha midis dy komuniteteve shumicë në vend. Berlini, Brukseli, Vjena, Londra dhe Parisi duhet të angazhohen sa më shpejt që ta bëjnë Evropën të tërë dhe kontributi i Washingtonit nuk do të mungojë gjithashtu”, tha Ahmeti, shkruan Zhurnal, transmeton lajmi.net.

Ahmeti falënderoi ministrin Kurz për vizitën që i bëri BDI-së dhe në shenjë respekti për gjithë kontributn e Austrisë për shqiptarët në 100 vjeçarin e kaluar, i dorëzoi shefit të diplomacisë austriake një dhuratë të çmuar.

Ministri Kurz theksoi se Austria është mike e Maqedonisë dhe do të mbështetë tërësisht integrimin e Maqedonisë në Bruksel, duke shprehur gatishmëri për të ndihmuar këtë proces jetik për vendin.