Komuna rrënon katin e jashtëligjshëm të një ndërtese në Prishtinë
Drejtoria e Inspeksionit e Komunës së Prishtinës ka rrënuar sot katin e gjashtë të objektit pa leje në Lagjen “Dodona”, afër ndërtesës së Akademisë së Arteve dhe Shkencave.

Lajme
Kjo ndërtesë ka qenë e investitorit “Naki Trade”, ndërsa rrënimi ka ardhur duke u bazuar në ligjin për legalizim, i cili përcakton se të gjitha ndërtimet e bëra pas datës 30 gusht të vitit 2013 nuk janë subjekt i trajtimit nga ky ligj, thuhet në një njoftim të Komunës së Prishtinës.
Rrjedhimisht, të tilla objekte me automatizëm futen në kategorinë e objekteve që do të rrënohen, pas ezaurimit të të gjitha pretendimeve të investitorit për këtë pikë.
Po ashtu, Komuna bën të ditur se për të gjitha objektet që aplikohen pa leje të cilat janë ndërtuar para datës 30 gusht të vitit 2013, do t’i nënshtrohen ligjit për legalizim, në të kundërtën ato do të futen në listën për t’i rrënuar.