Thaçi: Do ta vizitoja Beogradin, edhe pse s’kam nostalgji për atë vend

Zv.kryeministri i Kosovës dhe ministri i Jashtëm Hashim Thaçi, ka thënë se nuk e ka problem ta vizitojë Beogradin në momentin kur kjo do të ishte e mundshme, edhe pse thotë se vetëm njëherë në jetën e tij ka kaluar nëpër këtë qytet, dhe nuk ka fare nostalgji për të. Ai në një intervistë për Die Presse ka thënë se Serbia tashmë “de facto” e ka njohur pavarësinë e Kosovës. 

Lajme

23/12/2014 12:02

Thaçi në këtë intervistë ka folur për koalicionin dhe programin qeveritar, të ardhmen e dialogut me Serbinë dhe obligimet ndërkombëtare të Kosovës. 

I pyetur për fatin e tij të nejtë politik me atë të ministrit të Jashtëm serb Ivica Daçiq, i cili njejtë ishte kryeministër para se të kalonte në postin e ministrit të Jashtëm, Thaçi ka thënë se këto procese duhet depersonalizuar. 

“Ne duhet proceset e tilla t’i depersonalizojmë. Unë kam arritur Marrëveshjen e Brukselit me Daciçin, pastaj e kam vazhduar me Aleksandër Vuçiç, dhe ne së shpejti do të vazhdojmë dialogun në nivel të lartë. Ne do të implementojmë të gjitha marrëveshjet që kemi nënshkruar. Unë do të punoj me të gjithë njerëzit që kanë një vullnet të mirë, përfshirë edhe me kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Serbisë”.

Ndërsa për atë, nëse kryeministri serb, Aleksandar Vuçiq, ka vullnet për të punuar në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, Thaçi ka thënë se disa javë më parë ka takuar atë në Nju Jork, pa ndërmjetësimin ndërkombëtar, ku kanë diskutuar për agjendën e ardhshme të tyre, dhe sipas tij, te ai vërehet një vullnet të mirë për të vazhduar tutje.

Për deklaratat e tij nacionaliste në lidhje me Kosovën, ministri i Jashtëm, ka thënë se te të gjithë liderët politikë, në fjalimet e tyre ka mesazhe edhe për votuesit, e edhe Vuçq nuk mund të bëjë përjashtim në këtë mes.

Megjithatë, Thaçi kërkon që nacionalizmi nuk duhet të luaj asnjë rol në fjalimet politike. “Ne kemi arritur Marrëveshjen e Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për paqe në rajonin tonë dhe një pretendim për t’u kthyer në të kaluarën nuk mund të ndodh”.

“Procesi i normalizimit ka hyrë në një fazë të re, por ende nuk kemi ardhur në një njohje të ndërsjellë. Një javë më parë, për shembull, ministri i Brendshëm dhe ai i Drejtësisë së Kosovës ishin në një vizitë normale në Beograd. Marrëveshja e Brukselit do të zbatohet, edhe pse Serbia është duke hezituar. Por, dita e njohjes reciproke do të vijë së shpejti. Kjo do të ndodhë gjatë procesit të përafrimit me UE-në. Lidershipi politik i Serbisë është i vetëdijshëm për pavarësinë e Kosovës. Ajo tashmë ‘De facto’ e ka njohur Kosovën”, duke e përshkruar këtë fakt me atë se, institucionet e Kosovës kontrollojnë të gjithë shtetin dhe ne nuk ka më prani “de jure” të Serbisë në Kosovë.

“Serbët në veri të Kosovës janë pjesë e Qeverisë dhe Parlamentit. Përveç kësaj, Kosova është njohur nga 108 vende të botës, Kosova është integruar tashmë në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare. Çdo ditë që kalon, forcon pavarësinë e Kosovës”.

I pyetur se a ka sinjale Kosova mund të pranohet nga pesë vendet anëtare të BE-së, Thaçi ka thënë se shpreson që në vitin e ardhshëm të thyhet edhe ky akull.

“Asnjë vend evropian nuk ka arsye për të mos njohur Kosovën. Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme. Dhe sa me parë që këto vende do ta njohin Kosovën, do t’i japin gjithë Evropës Juglindore një shtytje energjike dhe do të shpejtojnë dinamikën e normalizimit me Serbinë. Fakti që pesë vendet e UE-së nuk e kanë njohur Kosovën, është një mesazh i panevojshëm për rajonin”.

Kur ka folur për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, Thaçi ka thënë se të dy këto vende kanë pasur për një shekull konflikt dhe në fund ka pasur një gjenocid, gjë që sipas tij, deri para dy viteve ishte e paimagjinuar që politikanët e Kosovës dhe Serbisë të ulen në një tryezë të përbashkët.

Ndërsa ai është shprehur paksa i habitur nga pyetja se kur do të vizitojë Beogradin. “Unë?”

“Aktualisht unë nuk mund të them kur. Si student unë kam kaluar në vitin 1989 nëpër Beograd për në Vjenë, por unë nuk e njoh Beogradin dhe nuk kam asnjë nostalgji për të. Por kjo varet nga vullneti i Qeverisë serbe, kur ata do të më ftojnë për në Beograd. Unë kam ftuar kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Serbisë të vizitojnë Kosovën”, ka thënë Thaçi duke shtuar që shpreson se këto vizita do të zhvillohen, dhe edhe pse nuk ka përgjigje, ekziston një vullnet i mirë. .

Kur është pyetur për Gjykatën Speciale, Thaçi ka thënë se Kosova nuk ka asgjë për të fshehur dhe se do të përmbush të gjitha detyrimet në lidhje me këtë gjykatë.

Për koalicionin me LDK-në dhe nëse ai është bërë me ndërmjetësim të ambasadores amerikane, Thaçi ka thën se ka negociuar bashkë me kryeministrin aktual IsaMustafa, dhe pa asnjë ndërhyrje nga faktori ndërkombëtar.

I pyetur se pse dëshiron që patjetër të bëhet president në vitin 2016, Thaçi ka thën se ka qenë tre herë kryeministër, duke përfshirë këtu edhe mandatin gjatë luftës, dhe se nuk e ka cështjen e presidentit si dicka “të jesh apo të mos jesh”.

Ai ka thënë se do të punojë shumë mirë me kryeministrin aktual dhe do ta mbështes plotësisht atë. “Unë kam bërë një sakrificë personale për më të mirën e vendit tim. Sidoqoftë, sot unë nuk merrem me vitin 2016”. (lajmi.net)