Aktakuzat ngriten para se të konstituohet Gjykata Speciale

Miratimi i Ligjit mbi Gjykatën Speciale dhe arritja e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës e Holandës do të plotësojnë kushtet për ngritjen e aktakuzave që janë produkt i hetimit të rasteve të dala nga raporti i senatorit Dick Marty, i cili përmban supozime për krime të kryera nga UÇK-ja.

Lajme

23/12/2014 08:13

Aktakuzat nuk do të mbeten peng i konstituimit të kësaj gjykate, shkruan sot Koha Ditore.

Ato tashmë janë gati, ngaqë prej kohësh janë përgatitur nga Task-Forca Speciale Hetuese (SITF), e themeluar në 2011-n nga Këshilli i Bashkimit Evropian.

Një burim i gazetës “Koha Ditore” ka thënë se shpallja e aktakuzave do të bëhet shumë shpejt.

“Ka bazë të mjaftueshme legale për t’i ngritur ato, menjëherë pasi të hyjë në fuqi Ligji mbi Gjykatën Speciale dhe pasi të kalohet në Kuvend marrëveshja me Holandën, lidhur me Zyrën që kjo gjykatë do ta ketë atje, e ku do të dëgjohen dëshmitarët, por edhe ku do të trajtohen dosjet dhe shkresat e ndjeshme”.

“Ligji do të dalë në Qeveri shumë shpejt, por të gjitha detyrat pritet të përmbyllen në çerekun e parë të vitit që vjen”, ka thënë ky burim.