PTK-ja në shitje pasi t’i rritet vlera

Posta dhe Telekomi i Kosovës pritet të dalë sërish në shitje. Këtë e ka paralajmëruar Isa Mustafa, në fjalimin e tij të parë si kryeministër i Kosovës para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Lajme

23/12/2014 07:38

Edhe pse ai ka premtuar proces më të kujdesshëm, zotimi i tij vjen pas përpjekjeve të pasuksesshme të partnerit të tij Hashim Thaçi për ta privatizuar këtë ndërmarrje në fund të vitit 2013.

“Do të sigurohet një menaxhim më i mirë i PTK-Valës për të rritur vlerën e saj të tregut përpara se të privatizohet”, ka thënë Mustafa. Ai nuk ka dhënë më shumë shpjegime se kur do të nisë një proces i ri i privatizimit të PTK-së.

Kjo fjali e kryeministrit të Kosovës është më shumë e elaboruar në programin qeverisës të LDK-së, në të cilin premtohet rishikimi i strategjisë ekzistuese për privatizimin e PTK-së.

“LDK-ja vlerëson se para privatizimit duhet të përmirësohet performanca e kësaj kompanie. Do të bëhen investime kapitale për ta rritur aftësinë konkurruese të kësaj kompanie dhe vlerën e saj të tregut. Privatizimi i PTK-së duhet të bëhet me një ligj të veçantë që do ta rregullonte në detaje këtë problematikë”, thuhet në programin e LDK-së të publikuar në ueb-faqen zyrtare të kësaj partie. / Koha Ditore/