Bandat në veri gjuajnë me armë e koktej molotovi

Të shtëna armësh, hedhje molotovi, rrahje dhe ndjekje me makina nëpër rrugët e veriut të Mitrovicës e Zveqanit që kanë ndodhur mbrëmë rreth mesnate mes grupeve kriminale, kanë shqetësuar tej mase qytetarët e asaj pjese.

Lajme

16/11/2014 12:03

Burime të KosovaPress-it bëjnë të ditur se të shtunën rreth orës 23:55 janë hedhur tre koktej molotovi në afërsi të kafeterisë ‘Crna Dama’ në veri të Mitrovicës, ndërsa ka pasur të shtëna armësh dhe rrahje.

“Më shumë se 20 persona nga grupi i ashtuquajtur KM- Forte të Mitrovicës dhe Delije nga Zveqani janë përfshirë në rrahje mes vete, ndërsa ka pasur hedhje molotovi, të shtëna armësh, ndjekje me makina njëjtë si nëpër filma. Krejt këto situata kanë filluar mbrëmë rreth orës 24:00 para lokalit ‘Crna Dama’ në veri të Mitrovicës, për të vazhduar pastaj në kafeterinë ‘Trebjesa’ në Zveqan, ndërsa kanë zgjatur më shumë se një orë. Janë disa të lënduar, dhe pjesëmarrës në krejt këtë tollovi ka qenë edhe një pjesëtar i xhandarmerisë serbe, Vlladimir Trebjeshanin, i njohur si Treshko’, kanë thënë burimet.

Burimet më tej kanë shtuar se ka pasur paralajmërime tre ditë më parë se do të ndodhë diçka e tillë dhe policia në veri ka qenë në dijeni, por nuk ka ndërmarrë asgjë.

“Është pikërisht Millun Millunoviq – Llune, punëtor sigurimi në lokalin Crna Dama, I cili ka njoftuar policinë disa ditë më parë se mund të ketë ngjarje të tilla’, theksojnë burimet, duke shtuar se përkundër gjithë asaj që ka ndodhur mbrëmë gjatë natës, policia nuk ka arrestuar asnjë person.

Sipas burimeve, të shtënat me Kalashnikov janë dëgjuar nga disa persona të cilët kanë qenë me automjet ‘Alfa Romeo’ ngjyrë e zezë dhe me targa KM, dhe Policia është në kërkim të këtij automjeti.

Në anën tjetër, shefi i operativës në Policinë e Kosovës për rajonin e veriut, Zhelko Bojiq, ka konfirmuar për KosovaPress se ka pasur të shtëna me armë dhe hedhje molotovi gjatë natës së mbrëmshme, por ka mohuar të ketë pasur rrahje apo ndjekje me makina.

“Janë hedhur tre koktej molotovi pranë motelit BB (që ndodhet shumë afër Crna Dama’ v.j.) në veri të Mitrovicës, por nuk ka të lënduar në njerëz dhe as dëme materiale. Deri tani nuk ka të dyshuar, ndërsa policia është duke punuar që sa më shpejtë të ndriçoj rastin”, ka thënë Bojiq.

Ai ka pranuar se policia ka qenë në njohuri për përleshje të mundshme mes grupeve nga Mitrovica dhe Zveqani, andaj ka shtuar gjatë natës prezencën e saj në këtë pjesë duke përfshirë këtu edhe njësinë speciale dhe ka arritur të evitojë diçka të tillë, raporton KosovaPress.