BDI e PDSH po e ndihmojnë deshqiptarizimin e Maqedonisë

Kim Mehmeti partitë politike shqiptare në Maqedoni i quan firma private dhe OJQ. Në një intervistë për lajmi.net, Mehmeti thotë se nuk e di se kush qëndron prapa Gardës së Ilirdës, por shprehët se BDI ka arritur ta kthej gjendjen e konfliktit të vitit 2001. Ai sqaron se kush qëndron prapa iniciativave të reja politike shqiptare, e posaqërisht Lëvizjes "Besa".

Lajme

15/11/2014 13:20

Shkrimtari dhe publicisti shqiptar nga Maqedonia, Kim Mehemti situatën e bashkëkombësve në këtë shtet e quan si të pakrye.

Ai akuzon skenën aktuale politike shqiptare të përbërë kryesisht nga BDI-ja në koalicion qeverisës dhe PDSH, se po funksionojnë si subjekte afariste e OJQ dhe jo si forca që e përfaqësojnë vullnetin e popullit.

Sipas Mehmetit, VMRO-DPMNE po e arrin ta zbatojë projektin për, siç e quan ai, “deshqiptarizimin” e Shkupit, fal heshtjes së këtyre dy subjekteve politike shqiptare.

Mehmeti në një intervistë ekskluzive për lajmi.net flet edhe për nismat e reja politike shqiptare në Maqedoni, siç është lëvizja për reformimin e PDSH-së së Menduh Thaçit nga kryetari i Strugës, Ziadin Sela si dhe për Lëvizjen “Besa”. Ai shpreson që me këto lëvizje, shqiptarëve të Maqedonisë do t’u ofrohen mundësi të reja për zgjedhje.

Lajmi.net: Në çfarë niveli gjendet aktualisht skena politike shqiptare në Maqedoni?

K.Mehmeti: Njëzet e katër vjet me radhë, shqiptarët e Maqedonisë rrotullohen rreth bushtit të pamundësisë së tyre që politikisht t’u kundërvihen projekteve të elitave politike maqedonase, projekte të cilat ndërtohen edhe mbi logjikën se shtetin duhet mbrojtur nga “rreziku shqiptar”. Pra mbi njëzet  vjet, shqiptarët e këtushëm politikisht vrapojnë pas projekteve politike maqedonase, duke treguar kështu se ata nuk kanë projekt të vetin për këtë vend. Andaj partitë e këtushme shqiptare ngjajnë në Organizata Joqeveritare, por të financuara nga qeveria maqedonase, e të cilat kryesisht merren me regjistrimin e kujdesshëm të padrejtësive që u bëhen shqiptarëve të këtushëm, duke filluar nga proceset e montuara gjyqësore e deri te harxhimi i buxhetit të shtetit  në baza njëetnike. Dhe si të tilla, aktiviteti i tyre është përqendruar në shëtitjet nëpër ambasadat perëndimore, ku i dorëzojnë raportet për situatën politike në Maqedoni dhe keqqeverisjen, por duke harruar se edhe ato vetë e ndihmojnë regjimin nga i cili ankohen. Mbase andaj shqiptarët e këtushëm ndjehen të papërfaqësuar dhe, si dikur në kohët e komunizmit, kanë ndjenjën se mbrojtës të vetëm të tyre janë përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut. Me çka s’ke si mos e shohësh se partitë e këtushme parlamentare shqiptare, e kanë humbur kontaktin me shqiptarët e këtushëm, se BDI-ja e PDSH-ja veprojnë si kompani private të kryesuesve të tyre, që kanë vetëm një qëllim: të sjellin përfitime materiale për drejtuesit partiak! Shkurt, shqiptarët e Maqedonisë kurrë në të kaluarën – përfshi edhe dekadat socialiste – nuk kanë pasur përfaqësues kaq injorant, kaq të papërgjegjshëm, kaq të korruptuar e kaq të paaftë sa sot.  Andaj shqiptarët e këtushëm sot nuk kanë problem me palën maqedonase, por ata janë në hallë me “tenderokratët” e BDI-së që përvetësuan çdo gjë për vetveten – përfshi edhe vlerat e këtij populli siç janë konfliktin e vitit 2001 dhe emblemën e madhërishme të UÇK-së – duke ia lënë popullit vetëm varfërinë. Pastaj BDI-ja bëri një krim që kurrë nuk do i falet e mallkimin i të cilit do i përcjellë përjetë drejtuesit e kësaj partie: e shkatërruan sistemin arsimorë në gjuhën shqipe, që nga shkollat tetëvjeçare e deri te ato të shkallës superior, duke i shndërruar institucionet arsimore në degë partiake të BDI-së, ku në shumicë prodhohen të arsimuar e të paditur, apo doktorë shkencash  të paditur, që pastaj bëhen mësimdhënës të rinisë sonë.

Lajmi.net: Çfarë po bëjnë ata që të identifikojnë qëllimet sllavo-maqedonase në realizimin e projekteve për sllavizmin të këtyre trojeve që po vërehet edhe me projektin “Shkupi – 2014”?

K.Mehmeti: Dhjetë vjetët e fundit do mbahen mend si vitet që shqiptarisë së këtushme ia hëngrën “tenderokratët” e BDI-së, pra si vitet kur regjimi i VMRO-së ia doli të realizojë atë që me shekuj mundoheshin ta bëjnë sunduesit e këtyre trojeve, por nuk ia dolën – deshqiptarizimin e Shkupit. Projekti “Shkupi 20014” është simbol i projekteve të këtij regjimi e që kanë për qëllim ta tregojnë Maqedoninë si djep të sllavo-ordodoksizmit.  E në ndërkohë, nuk duhet harruar: ky deshqiptarizim i Shkupit dhe i Maqedonisë, kurrë nuk do mund të realizohej kaq lehtë, sikur VMRO-DPMNE-ja të mos e kishte përkrahjen dhe mbulesën e BDI-së dhe PDSH-së shqiptare. Andaj, BDI –ja e PDSH-ja, do mbahen mend si parti të cilat e ndihmuan VMRO-DPMNE-në që ajo të realizonte edhe projekte të ngjashëm me ato që izraelitët i përdorin për pushtimin e tokave palestineze: që “armiqve” t’ua ngushtosh hapësirën jetësore, me çka do i çosh ata të ngulfaten e t’i braktisnin trojet e tyre. Kjo më së miri shihet në Shkup, ku posa të kalosh nga ana veriore e lumit Vardar, posa të futesh nëpër sokakët e ngushtë të Gazi Babës, përballesh me “Gazën” shqiptare, me një geto që i ngjanë një burgu të hapur, ku banorët janë veçuar nga pjesa e Shkupit përplot me gjelbërim e me bulevarde të gjera.

Lajmi.net:Tashmë në fokus janë dal edhe disa tentativa të reja politike të shqiptarëve në Maqedoni, siç është lëvizja e kryetarit të Strugës, Ziadin Sela për reformim të PDSH-së dhe nisma e re e quajtur “Besa”. Çfarë mundësish kanë këta?

K.Mehmeti: Shpresojë se do vijë një gjeneratë e re e politikanëve e cila do e kuptojë më elementaren në politikë: se dështimi politik i mposhtë të gjitha arsyetimet dhe shpjegimet për atë pse ke dështuar. Shpresojë se ka ardhur edhe gjenerata e votuesve, e cila e ka kuptuar se nuk mjafton të votosh kundër atij që e ke inat, por duhet të zgjedhësh më të aftin e më të përgjegjshmin. Pra që e ka kuptuar se i zgjedhuri e shpalos edhe vetëdijen politike të zgjedhësve. Andaj iniciativat e reja politike të shqiptarëve në Maqedoni, dua t’i shoh nga këndvështrimi i ardhjes së kësaj gjenerata të re politikanësh e votuesish, të cilët do e kenë të vështirë t’i mposhti garniturat e tanishme politike të mbështetura edhe nga qarqe politike e policore maqedonase, por jo të pamundur që ta marrin në duar fatin e popullit, që këtë popull ta shpëtojnë nga kthetrat e elitave të sotme politike, të cilat mirëqenien e vet e kanë barazuar me atë të popullit, të cilat marrin votat e shqiptarëve, por u shërbejnë partive politike maqedonase. Ne do duhet ta ecim këtë rrugë të vështirë, sepse përndryshe do zhytemi edhe më thellë në baltën e injorancës politike. Ky popull do përballet mbase tani duhet të përballet me betejën më të vështirë politike: me atë si të shpëtoj nga strukturat politike që i ngriti në këmbë me dorën e vetë e të cilat tani bëhen gjithnjë e më të rrezikshme, ngaqë aq u korruptuan sa ata mund t’i mbrojë vetëm mburoja e mbetjes me çdo kusht në pushtet.

Lajmi.net: Kush janë protagonistët e lëvizjes “Besa”?

K.Mehmeti: Me aq sa jam i informuar, besoj se bëhet fjalë për të rinj të cilët duan të bëjnë atë për çka u fola më lartë: t’ia kthejnë dinjitetin politik shqiptarisë së këtushme. Nuk është se nuk i kamë dëgjuar pohimet e ndryshme lidhur me këtë nismë, përfshi edhe akuzat se kjo do qenka “parti e Erdoganit”. Kjo akuzë më duket e pabazë për një arsye logjike: pse do i duhej Erdoganit një parti shqiptare në Maqedoni, kur nuk i mungon miqësia me VMRO-DPMNE-në e BDI-në dhe kur thuajse për çdo vit, Kryeministri i Maqedonisë i kalon pushimet në Turqi si mysafir i pushtetarëve të atjeshëm!? Pastaj pse administrata e Ordoganit do shtrinte dorën politike në Maqedoni nëpërmjet një partie shqiptare, duke pasur këtu dy parti të turqve?  Dhe aq më shumë, pse Turqia do investonte në një parti të re politike shqiptare, kur të gjithë e dinë se këta të BDI-së do shkonin edhe në këmbë deri në Ankara, po që se Erdogani do u premtonte se do fotografohej me ta. Doni dëshmi për këtë? Ja, kur para disa vitesh erdhi në Shkup “Pollati”, kryepersonazhi i serialit televiziv turk “Lugina e ujqve”, aktivistët e BDI-së sa nuk i thyen këmbët duke vrapuar që të fotografoheshin me të. Tani e keni të vështirë të paramendoni çfarë suksesi do ishte për ata sikur në kabinetet e tyre të kishin fotografi të bëra me Edoganin! E tani, këta të njëjtit aktivistë të BDI-së, përhapin “shqetësimin” se do u themeluaka një parti e “erdoganiste”. Por në ndërkohë duke mos na treguar si ishte e mundur që duke qenë ata pjesë e qeveris, thuajse të gjitha investimet e Turqisë përfundojnë në vendbanimet maqedonase, në Maqedoninë Lindore dhe thuajse gjitha ato investime turke  menaxhohen nga maqedonasit!? Andaj unë do doja të themelohet ndonjë parti që do dijë ta përdorë faktorin disamilionësh shqiptarë në Turqi, për të mirën e shqiptarisë së këtushme, siç do doja që ndonjë parti e këtushme shqiptare, të kishte degët e veta mes miliona shqiptarëve të shpërngulur në Turqi, e të cilët do e ndërronin kahjen e investimeve turke që ato të arrinin edhe në Maqedoninë Perëndimore. Në ndërkohë, nuk duhet harruar se ata që akuzojnë të tjetër për “proerdoganizëm”, harrojnë se janë pjesë e qeverisë së shtetit që ka polici e armata të ndihmuar nga Turqia më shumë se cilido vend tjetër, duke i furnizuar ato edhe me autoblinda që përdoren kundër protestuesve shqiptarë. E tani unë do doja dikush të më përgjigjet se si do dukej ajo parti që do ishte  më  “pro erdoganiste” se VMRO-DPMNE-ja dhe BDI-ja?

Lajmi.net:Sa kanë mundësi që të ndryshojnë skenën politike shqiptare këto nisma dhe, sipas jush, a kanë qëllime të mira?

K.Mehmeti: Asnjëherë nuk jam marrë me paragjykime. Gjithmonë i kamë mirëpritur nismat politike. Nuk kam asnjë arsye, cilindo ta konsideroj më pakë qëllimmirë për shqiptarinë se sa vetveten. Por e di se BDI-ja e PDSH-ja, të cilat ia nxjerrin sytë njëra tjetrës, në një gjë bashkëveprojnë si të ishin një parti e vetme: në luftën të pamundësojnë paraqitjen e ndonjë subjekti të ri politik. Edhe atë duke ua ofruar shqiptarëve një arsyetim të logjikshëm, por me të cilin duan ta mbulojnë veprimin e tyre të palogjikshëm politik: pra duke thënë se nuk duhet copëzuar vota shqiptare në shumë parti të vogla! E në ndërkohë duke mos shpjeguar se ç’dobi kanë shqiptarët nga një BDI-e fortë, e cila nuk ka potencial as sa një OJQ dhe që e bënë më të fortë VMRO-DPMNE-në, e jo shqiptarinë e këtushme!? Dhe nuk përgjigjen se si e kuptojnë ato forcën politike – si mundësi për të marrë përqindje nga tenderët që ua jep VMRO-ja dhe si betejë që mos lejojnë dikush t’u ndërhyjë në “tenderokracinë”,  apo për të realizuar aspiratat kolektive të shqiptarëve të këtushëm? Më në fund, të mos dish ta përdorësh forcën politike që ke, është më e dëmshme se cilido copëzim i votës shqiptare. Kështu siç jemi sot, ne dëgjojmë vetëm zërin e dy partive të quajtura shqiptare, por të cilat veprojnë si degë partiak të VMRO-DPMNE-së maqedonase në pushtet. Andaj ne duhet të bëjmë çmos që të dalim nga kthetrat e BDI-së e PDSH-së, të cilat siç duket, janë kapur aq keq nga qarqet politike e policore maqedonase sa sot nuk kanë detyrë tjetër politike përpos ta luftojnë faktorizimin politik të shqiptarëve të këtushëm. 

Lajmi.net:Si e shihni paraqitjen në publik të Gardës Republikane të Iliridës dhe kush qëndron prapa saj?

K.Mehmeti: Në kohë të mjegullta vështirë mund të shohësh cilat janë siluetat që lëvizin nëpër të. Nuk e di cilët janë ata që qëndrojnë pas kësaj Garde, por e di se BDI-ja ia doli të na kthej aty ku ishim para konflikti të 2001, nëse jo të na çojë edhe shumë më tej në të kaluarën. E di edhe atë se për shqiptarët e Maqedonisë, situata bëhet gjithnjë e më e padurueshme. Dhe kjo situate i frustron shqiptarët e këtushëm, i bënë ata të kërkojnë rrugëdalje. Shkurtë thënë, shqiptarët e Maqedonisë tani ndjehen si ai që vonë e ka kuptuar se prijësi i kolonës, le që është i verbër, por edhe nuk dëgjon mirë. Dhe të tillëve mund të ndodhë që nga dëshpërimi, nga ndjenja e të gënjyerit, të ndërmarrin edhe hapa të pamatura mirë. Dua që populli im t’i qartësojë mirë projektet të cilat dëshiron t’i realizojë, dua që ato projekte të jenë racional dhe të baraspeshuara me potencialin tonë dhe kohën e rrethanat në të cilat veprojmë. Besoj se shqiptarët e këtushëm kanë potencial të realizojnë shumë projekte për të mirën kolektive, por vetëm nëse do ia dalin të dalin nga kjo baltë e injorancës politike, e ku zhyti BDI-ja! (lajmi.net)