Vetëvendosje: Nuk prishet Blloku shkaku i postit të kryeministrit
Në LDK dhe AAK kanë filluar të tregohen hapur kundërshtitë e tyre rreth postit të kryeministrit, por në VV thonë se Blloku nuk prishet shkaku i posteve, dhe se ka një pajtim të plotë që PDK të dërgohet në opozitë.
Lajme
Sekretari organizativ i VV-së, Dardan Molliqaj, edhe pse kritikon Bllokun LAN që në fillim të marrëveshjes mes tyre kishin ndarë postet, ai thotë se posti i kryeministrit nuk do ta prishë Bllokun.
Ai gjithashtu thotë se LAN ka bërë gabim që ka vendosur të pajtohet për ta votuar të propozuarin e PDK-së për kryeparlamentar.
“Prej momentit që përfaqësuesit e LAN-it kanë vendosur për ta votuar kandidatin e PDK-së për kryeparlamentar, ne kemi thënë se është një gjë e keqe. Që në fillim LAN ka vepruar gabim duke i ndarë postet. Dyshojmë se dikush edhe nuk po guxon të bëhet kryeministër”.
Molliqaj në një intervistë në emisionin InfoMagazine në Klan Kosova, tutje ka thënë se në VV besojnë se nuk ka pasur e as nuk do të ketë takime LAN-PDK.
“Ajo çfarë kërkojmë ne është që të mos kemi takime me z.Thaçi, dhe ta bëjmë qeverinë për ndryshime në vend. Në takimin e fundit ku kam qenë edhe unë, ka pasur pajtim se qeverinë duhet ta bëjë shumica parlamentare. Kjo çfarë po deklarohet tani është vendosje e interesave personale mbi interesat e përgjithshme. Në takimet që kemi pasur është arritur pajtimi se Blloku nuk do të prishet shkaku i posteve”.
“PDK është duke pritur dhe krejt shpresat i ka te çarja e Bllokut, dhe nuk do të ketë prishje të Bllokut shkaku i postit të kryeministrit. Unë u besoj qëndrimeve zyrtare, se nuk ka pasur takime me Thaçin, dhe se nuk do të ketë takime me PDK-në. Ne jemi të vendosur që PDK-në ta dërgojmë në opozitë. Unë u besoj rrethanave politike që janë krijuar. Janë pesë muaj ditë investim që janë bërë e që i është bartur publikut”, ka thënë Molliqaj, duke shtuar se as në takimin e sotëm i cili pritet të mbahet rreth orës 20:00 mes Bllokut LAN dhe VV-së, kjo e fundit nuk do të jap sugjerime se kush duhet të bëhet kryeministër, pasi sipas tij, VV nuk e ka shqetësimin e posteve.
Ai gjithashtu ka paralajmëruar se vazhdimi i seancës konstituive do të ndodhë gjatë javës së ardhshem. “Ajo çfarë ne kemi kuptuar, javën e ardhshme do të thirret seanca konstituive”, ka thënë sekretari organizativ i VV-së. (lajmi.net)