Partitë presin “zarfin” nga Berlini
Dy partnerët e koalicionit, Isa Mustafa dhe Ramush Haradinaj, sapo të kthehen nga Gjermania, të premten, do t’i japin fund dilemave nëse do të ketë ndryshim të marrëveshjes dhe nëse kreu i AAK-së do t’ia dorëzojë postin kryeministrit liderit të LDK-së.
Lajme
Marrëveshja e shumëpërfolur ndërmjet partnerëve të koalicionit paszgjedhor, LAN-it, pritet që deri të premten të marrë rrugën e saj me t’u kthyer nga Berlini dy liderët politikë, Isa Mustafa dhe Ramush Haradinaj.
Dy partnerët e koalicionit besohet se do t’i japin fund dilemave të ngritura rreth udhëheqjes së Qeverisë së ardhshme dhe eventualisht pajtimin për kalimin e kandidaturës për kryeministër nga Haradinaj tek Mustafa.
Megjithatë, në AAK vazhdojnë të besojnë se nuk do të ketë prishje të marrëveshjes së arritur më 10 qershor dhe se Ramush Haradinaj do të jetë kryeministër i ardhshëm i Kosovës ashtu sikurse është nominuar nga Blloku, shkruan Zëri.
Madje zyrtarë të AAK-së janë të sigurt se lideri i tyre Haradinaj nuk do t’i bindet kërkesës së LDK-së që të heqë dorë nga posti i kryeministrit dhe atë t’ia “falë” partnerit të koalicionit, LDK-së.
Blerim Kuçi, sekretar i AAK-së nuk sheh asnjë arsye që lideri i tij të heqë dorë nga posti i kryeministrit pas kërkesës së LDK-së.
“Jo, jo nuk mendoj se Ramushi do të heqë dorë prej postit të kryeministrit, sepse nuk ka as kuptim që ai ta bëjë këtë veprim”, ka thënë Kuçi.