Republikanët favoritë në zgjedhjet “mes-mandatit”

Në Shtetet e Bashkuara të martën po zhvillohen zgjedhje të rëndësishme që pritet të vendosin nëse do të jenë demokratët apo republikanët që do të kenë kontrollin e Kongresit gjatë dy viteve të fundit të mandatit të Presidentit Barack Obama.

Bota

04/11/2014 15:16

“Zgjedhjet në mes të mandatit” quhen kështu pasi ato mbahen në mes të mandatit katërvjeçar të Presidentit të Shteteve të Bashkuara.

Sot po votohet për të 435 vendet e Dhomës së Përfaqësuesve dhe për një të tretën e 100 vendeve të Senatit.

Vëmendja kryesore është tek Senati, ku shumë analistë politikë thonë se republikanët do të jenë në gjendje të marrin gjashtë vendet që u duhen për të siguruar kontrollin.

Deri tani, Partia Demokratike e presidentit Obama ka në Senat shumicën, me vetëm 5 vende më shumë se Partia Republikane.

Tani që niveli i miratimit të Presidentit është pak më shumë se 40 përqind, shanset më të mëdha për republikanët janë në disa shtete ku Obama pësoi humbje dy vjet më parë në fushatën e tij të rizgjedhjes.

Pritet që republikanët ta ruajnë e ndoshta ta zgjerojnë shumicën e tyre të ndjeshme në Dhomën e Përfaqësuesve, ku ata kanë 233 vende, raporton VoA.

Anketat e fundit tregojnë se kandidatët republikanë do t’i fitojnë me lehtësi vendet për Senatin në shtetet Virxhinia Perëndimore, Dakota e Jugut dhe Montana, që aktualisht mbahen nga demokratët.

Sipas anketave, republikanët mund të fitojnë edhe në shtetet Ajova, Kolorado, dhe Alaska, megjithëse do të duhen disa orë e madje ditë përpara se të dihen rezultatet përfundimtare.

Dy gara në shtetet jugore, Xhorxhia dhe Luiziana, janë mjaft të paparashikueshme dhe pritet që të vendosen me balotazh.