Lufta e gazit Rusi – SHBA: Berluskoni shkoi shkaku i gazit dhe Kosovës

Italia u vu nën presionin e SHBA-ve për të mos e çuar përpara projektin e tubacionit të gazit rus “Rrjedha e Jugut”, për të ndalur rritjen e varësisë evropiane për energjinë ruse. Ish kryeministri italian Silvio Berluskoni kishte filluar të shihej i papërshtatshëm për amerikanët, shkaku se po mbështeste projektet e Vladimir Putinit, por edhe shkaku i Kosovës. 

Lajme

04/11/2014 11:50

Berluskoni ishte zotuar te presidenti rus Putin se do të ndikonte te vendet anëtare të BE-së dhe Komisioni Evropian, për të bërë të mundur projektin “Rrjedha e Jugut”, përmes të cilit gjiganti rus Gazprom do të rriste kapacitetet e furnizimit me energji vendet e BE-së.

Berlusconi ishte bërë sponsor politik i Gazpromit dhe gjigantit italian të energjisë Eni që udhëhiqej nga miku i tij Paolo Skaroni. Kontrata e parë midis Gazpromit dhe Enit ishte nënshkruar në vitin 2007 në kohën e qeverisë Prodi.

Kontrata më pas u rinovua dy herë. Herën e parë në vitin 2009, dhe një herë tjetër në nëntor 2012 në Milano, ku u kontraktua shtrimi i tubit të parë me pjesëmarrjen e EDF-së franceze dhe BASF-it të Gjermanisë.

E në një nga korrespodencat konfidenciale të 24 shkurtit 2009, ambasada e SHBA-së në Romë vlerëson se politika e jashtme e Italisë ndaj Rusisë është e dominuar nga dëshira e Berluskonit për të përmbushur çdo kërkesë të Putinit.

“Kryeministri (Berluskoni), i kishte propozuar (Rusisë) një marrëveshje që prek interesat tona thelbësore të sigurisë në Evropë – çështjen e pavarësisë së Kosovës, çështjen e politikës tonë të mbështetjes /…/ zgjerimin e BE-së dhe NATO-s…”, thuhet në të njëjtin dokument konfidencial diplomatik të publikuar nga Wikileaks, shkruan gazeta serbe Vesti, përcjellë lajmi.net.

Shtetet e Bashkuara shqetësoheshin me politikën e ndjekur nga Berluskoni, dhe në një letër dërguar sekretares së atëhershme Hillary Clinton, ambasada në Romë, shkruante se “marrëdhëniet personale ndërmjet Berluskonit dhe Putinit dhe ato midis Eni dhe Gazpromit, kanë bërë që Italia shpesh të marr pozicionim në kundërshtim me përpjekjet e qeverisë amerikane për të reduktuar vartësinë e Evropës nga burimet ruse të energjisë”. 

Më vonë në vitin 2011 në krye të qeverisë italiane erdhi Mario Monti, një ish këshilltar për bankat amerikane dhe përkrahës i federalizmit të BE-së. Ndërsa nga drejtimi i gjigantit italian Eni u largua miku i Berluskonit, Skaroni, strategu i “strategjisë pro-ruse”. (lajmi.net)