Clinton: Obama fajtor për krijimin e ISIS-it
Ish Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, ka deklaruar se fajtore për kryengritjen e ekstremistëve islamë në Irak dhe në Siri është politika e dështuar e administratës së presidentit, Barack Obama.
Bota
Clinton ka thënë se gabimi më i madh ka qenë vendimi i SHBA-ve që mos të përzihen në kryengritjen kundër presidentit sirian, Bashar Al-Assad, me çka u janë hapur dyert fraksioneve me ekstremiste të Shetit Islam (ISIS).
“Me mospërkrahjen e forcave popullore që u ngritën në protesta kundër Assadit, u krijua një hapësirë e lirë që tash po e mbushin xhihadistët”, ka thënë ajo në një intervistë për revistën “Atlantic”.
Clinton, derisa ishte sekretare e Shtetit në mandatin e parë të Obamas, kishte kërkuar armatosjen e kryengritësve sirian.
Obama të enjten miratoi sulmet ajrore kundër ISIS-it në Irak, por ka thënë se më nuk do të dërgojë ushtarë në atë vend, pasi që në vitin 2011 forcat amerikane u larguan nga Iraku.
Megjithatë, Clinton ka thënë se Obama nuk ka strategji për mbrojtje nga kërcënimet e xhihadistëve.