Grabovci: Deputetët do të votojnë për zhbllokimin e jetës

Deputeti i PDK-së, Adem Grabovci, duke komentuar vendosmërinë e bllokut opozitar për të refuzuar çfarëdo bashkëpunimi me PDK-në, ka thënë se demokracia funksionon mbi parimin e debatit dhe jo të përjashtimit, gjë që, sipas tij, po e bëjnë LDK, AAK e Nisma.

Lajme

06/08/2014 23:26

“Alfa dhe omega e demokracisë është debati, aty ku nuk ka debat nuk ka demokraci dhe emërtimin e dini ju dhe çdo qytetar i Kosovës, PDK-ja nuk udhëhiqet nga logjika e përjashtimit të askujt, nga linçimi i askujt, por nga logjika e debatit dhe e bashkëpunimit”, ka thënë Grabovci për gazetën Zëri.

Ai më tej ka shtuar se shqetësimi dhe angazhimi i PDK-së është se si të ndërtojnë institucione kredibile të fuqishme, të cilat do të jenë në gjendje të marrin vendimet e duhura. Grabovci ka thënë se deputetët në Kuvend do të votojnë për zhbllokimin e jetës së qytetarëve të Kosovës.

“Ne kemi besim tek përfaqësuesit e popullit se ata do ta orientojnë votën e vet në përputhje me besimin e qytetarëve dhe besimi i qytetarëve u është dhënë për të zhbllokuar jetën dhe për krijimin e një jetë më të mirë për qytetarët, e jo për të bllokuar jetën e qytetarëve”, ka deklaruar Grabovci.