Eksporti i prodhimeve kosovare i ulët

Gjatë vitit 2013, Kosova ka eksportuar prodhime vendore rreth 300 milionë euro e nëse kjo shifër krahasohet me pesë vitet paraprake, kualiteti i eksportit ka filluar të rritet.

Lajme

19/06/2014 16:11

Në mënyrë që të forcohen lidhjet e reja të eksportit dhe importit, midis kompanive vendore dhe atyre të huaja, USAID në bashkëpunim me Agjencinë për Mbështetjen e Ndërmarrjeve dhe Investimeve në Kosovë (KIESA) ka organizuar konferencën e dytë, me temën “Mundësi të reja për Bujqësi, Biznes me Biznes”.

Në këtë konferencë, përveç prodhuesve kosovarë morën pjesë edhe tetë biznese të huaja nga Zvicra, Sllovenia, Suedia, Kroacia dhe Serbia.

Në këtë konferencë, u tha se, si rezultat i asaj të kaluarës, kompanitë pjesëmarrëse kosovare kanë eksportuar rreth gjysmë milioni euro, ndërsa fermerët kosovarë kanë përfituar 42 milionë euro në shitjen e produkteve të tyre. E speci, patatet dhe molla, vlerësohet të jenë produktet me potencialin më të fuqishëm për eksport.

Drejtori i programit “Mundësi të reja për bujqësi”, nga USAID, Marck Wood, tha se konferenca në vitin e kaluar ka qenë shumë e suksesshëm dhe janë krijuar shumë lidhje në mes të bizneseve, ku sipas tij, fermerët kanë përfituar 42 milionë euro nga shitjet.

“Në konferencën e kaluar e cila ka qenë shumë e suksesshme, kompanitë pjesëmarrëse kosovare kanë eksportuar gati gjysmë milioni euro. Si rezultat i konferencës në vitin e kaluar kapaciteti i fermerëve kosovarë, është rritur në mënyrë të konsiderueshme dhe shpresojmë që të vazhdojë ky trend i rritjes edhe më tutje. Këto qendra komerciale janë financuar përmes granteve private dhe qeverisë së Kosovës… dua të nënvizojë se si rezultat i punës dhe i programit NOA, për mundësi të reja në bujqësi, fermerët kosovarë kanë përfituar 42 milionë euro në shitje,” theksoi ai.

Një nga organizatorët e kësaj konference, Valdrin Lluka, drejtor i KIEAS, tha se ideja e tyre është që sa më shumë t`ju ndihmojnë fermerëve në prodhimtarinë e tyre si dhe për të eksportuar sa më shumë produktet e tyre.

Sipas tij, eksportet janë relativisht të ulëta, ku në vitin 2013, Kosova ka eksportuar rreth 300 milionë euro.

“Ne në Kosovë eksportet i kemi relativisht të ulëta, të vogla, gjithsej kemi eksportuar rreth 300 milionë euro në vitin e kaluar, kurse nëse e shikojmë në relacion me importet është vetëm rreth 10 % total i importit duke krijuar një disbalanc të madh tregtarë. Por duke shikuar në anën pozitive, para 5 viteve kemi eksportuar kryesisht metale të papërpunuara në lëndë e parë miniera dhe minerale .. tash kualiteti i këtyre eksporteve ka filluar të ngritët, tash jemi duke eksportuar produkte më finale jemi duke eksportuar edhe fruta dhe perime që është një gjë shumë e mirë dhe tregon një shenjë të mirë të rritjes dhe të zhvillimit të eksporteve”.

Prodhuesit kosovarë e cilësuan këtë konferencë si mundësi të mirë për të krijuar lidhje të reja të bashkëpunimit, në mënyrë që të shesin produktet e tyre.

Kultivuesi i Shafranit, Selami Hoti tha se kjo konferencë përveç se ndihmon në eksportin e produkteve, gjithashtu ndikon në mirëqenien e qytetarëve.

“Kjo konferencë ka një rolë jashtëzakonisht të madh sepse sot dhe nesër, të gjithë këta që kanë ardhur nga vendet e ndryshme të Evropës, do të bëjnë shënimin informatave me ne për të pasur një bashkëpunim të ngushtë të mirë sikurse ka qenë në vitin e kaluar… kjo përveç se do të ndikojë në eksport, kjo do të ndikojë edhe në përmirësimin e ekonomive familjarëve gjegjësisht në një mirëqenie më të mirë të fermerit kosovarë”, tha ai, shkruan Kosovapress.