Rama: Shqipëria nuk është vend mysliman, por europian

Në intervistën për televizionin francez \"France24\"‏, kryeministri Edi Rama mes të tjerash ka theksuar se Shqipëria është një vend unikal sa i përket tolerancës fetare, ku të krishterët festojnë Ramazanin dhe për Krishtlindje myslimanët festojnë si të krishterët. 

Lajme

14/06/2014 23:20

Në përgjigje të pyetjes së gazetares, e cila e etiketoi Shqipërinë si një vend mysliman, shefi i qeverisë shqiptare e kundërshtoi atë. 

“Ne nuk jemi një vend mysliman, por jemi një vend europian, ku ka myslimanë dhe të krishterë, që jetojnë bashkë.” 

Lidhur me statusin e vendit kandidat shefi i qeverisë shprehet optimist se Shqipëria këtë herë do ta marrë statusin e vendit kandidat, duke theksuar se fakti që nuk e mori në dhjetor nuk i ka bërë aspak mirë as Shqipërisë, e as rajonit. 

Rama tha se “projekti i Bashkimit Europian i projektuar nga themeluesit është projekti më i mirë që civilizimi ynë mund të ketë imagjinuar”. 

Sipas tij, Shqipëria ashtu si dhe Ballakani bëjnë pjesë në këtë projekt.