Rexhepi dëshmon në rastin e pasaportave
Në cilësinë e dëshmitarit vullnetar, ministri në detyrë i Punëve të Bredshme, Bajram Rexhepi ka dëshmuar të enjten në rastin e Natali Veliajt, e cila akuzohet se ka përvetësuar 1.4 milion euro për shtypjen e pasaportave.
Lajme
Rexhepi sot është pyetur nga prokurori kryesisht për çështje teknike. Rexhepi ka rrëfyer për takimet me ambasadorin e Austrisë, në të cilat kishte marrë pjesë edhe e dyshuara kryesore Natali Veliaj.
Bajram Rexhepi ka thënë se MPB-ja nuk ka qenë në dijeni për moskryerjen e pagesave dhe ka rrëfyer se një ditë kishte marrë një telefonatë nga ambasadori austriak, i cili i kishte thënë se kompania austriake OSD është e shqetësuar për moskryerjen e pagesave.
Ai ka shtuar se është ndier i tmerruar kur ka dëgjuar se paratë e MPB-së nuk po shkonin në destinacionin e duhur. Megjithatë, Rexhepi ka thënë se ekzistonte një aneks kontratë ku kompania austriake OSD autorizonte kompaninë e Natali Veliajt IU Consulting që të mbronte të drejtat e saj në Kosovë.
Rexhepi ka thënë se e ka takuar dy herë Natali Veliajn.
Ai sot ka dëshmuar vullnetarisht dhe ka thënë se fakt është që asnjë zyrtar i MPB-së nuk është i akuzuar. Sipas tij, problemi qëndron në mes të kompanisë austriake dhe nënkontraktuesit të tij në Kosovë, e cila është IU Consulting.
“Unë fundin nuk e paragjykoj, por realisht problemi është në mes kompanisë austriake dhe nënkontraktorëve që kanë vënë në lajthitje kompaninë austriake, por dhe Ministrinë deri diku”, ka thënë Bajram Rexhepi pasi ka mbaruar dëshminë e tij, raporton KTV.