Pacolli akuzon Hasan Pretenin se i mohoi Kosovës një investim 500 milion euro
Lideri i AKR-së Behgjet Pacolli ka akuzuar rëndë drejtorin e Agjencisë Kundër Korrupsionit Hasan Preteni. Ai ka thënë se Preteni me qëllim dhe për interesa të ngushta ka penguar një investim 500 milion eurosh në Kosovë, që do të vinte nga një kompani franceze.
Lajme
Pacolli në një intervistë në RTK, duke folur për programin e tij politik dhe ekonomik, ka thënë se vazhdimisht është munduar që në mënyrë të pastër të kontribuojë në zhvillimin e Kosovës, por sipas tij në shumë raste është penguar.
Akuzat më të ashpra i ka drejtuar ndaj drejtorit të AKK-së, Hasan Preteni, për të cilin ka thënë, se bartë përgjegjësi i vetëm, për privimin që u ka bërë qytetarëve të Kosovës, për vende të reja pune.
“Kryetari i Agjencisë së Korrupsionin e ka privuar Kosovën nga një kontratë 500 milionë euroshe që kam tentuar ta sjellë përmes një biznesmeni francez në Kosovë”.
“Për shkak të fuqisë së lirë punëtore, biznesmeni francez ka qenë shumë i interesuar që këtë investim ta realizojë në Kosovë, por, pa hezitim them se këtë për interesa të ngushta e ka penguar Hasan Preteni”.
Pacolli ka thënë se është i pastër, dhe asnjëherë nuk e ka keqpërdorur paranë publike.
“E sfidoj këdo në këtë Kosovë që vjen e më thotë se e kam keqpërdorë paranë e publikut”.
“Këtu është edhe ai kuptimi i plotë. AKR nuk është parti e skandaleve, dhunës, që bën diçka për interesat e veta. Po të kisha harxhuar krejt atë buxhet që ka harxhuar nëpër botë për faktorizimin e Kosovës, sot do të isha partia më e madhe e Kosovës”.
Lideri i AKR-së ka përmendur edhe njohjet që i ka sjellë Kosovës.
“Por, interesin e shtetit, dhe qytetarit tim e kam vënë para të gjithave. Jam shumë i lumtur që Jeremiqi nuk e ka pasur më atë luks të thotë se Kosova është e njohur prej pak shteteve”.
“Unë luftën me Jeremiqin e kam fituar çdoherë, dhe do ta fitojë. Dhe, përfundimisht, edhe njerëzit që kanë punuar në dikasteret e AKR-së ja kanë përkushtuar krejt kohën qytetarëve të Kosovës.
Këtu kemi parë që ne na nevojitet shumë më tepër hapësirë të veprimit”, ka thënë ai.