989 euro për kalendarët e vonuar të Hanit të Elezit

Komuna e Hanit të Elezit harxhoi 989 euro për kalendarë dhe lapsa kimikë me të cilët u furnizua në mars të këtij viti, dy muaj pas nisjes së 2016-ës.

Lajme

03/12/2016 07:28

Komuna e Hanit të Elezit për të gjithë zyrtarët e saj, mësimdhënësit e shkollave, personelin e Qendrave të Mjekësisë Familjare, këshilltarët komunalë, komunitetin e biznesit dhe mysafirët e mundshëm, bleu kalendarë dhe lapsa kimikë si dhurata.

Furnizimin me kalendarë dhe lapsa kimikë në vlerën e 989 eurove komuna e kreu në muajin mars, kur këtyre kalendarëve tashmë u kishin “ikur” muajt janar dhe shkurt.

Njoftimi i Komunës së Hanit të Elezit për nënshkrimin e kontratës për tenderin “Furnizim me Kalendarë, Lapsa Kimikë dhe Shkrepsa” u publikua në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ për Prokurim Publik (KRPP) dy muaj pasi nisi ky vit.

Zyra për Informim e Komunës së Hanit të Elezit tregon për KALLXO.com se sa kalendarë dhe lapsa kimikë u blenë.

“Me këtë ofertë ne kemi kryer procedurën e furnizimit me: Kalendarë  A2- copë 1500 x 0.58 € = 870.00 €,  Kimika me mbishkrim- copë    340 x 0.35 €=  119.00 €.  Që në total i bie 989.00 € (sa është edhe vlera e prezantuar në njoftimin për nënshkrim të kontratës në KRPP),” thuhet në përgjigjen e komunës.

Komuna shpjegon gjerësisht se për çfarë arsye i bleu kalendarët e lapsat kimikë dhe kujt ia dha.

“Të gjithë kalendarët dhe lapsat kimikë i janë dërguar Zyrës së Kryetarit të Komunës  dhe drejtorëve të drejtorive për shpërndarje në dikasteret e tyre. [Ato u janë shpërndarë] një pjese të institucioneve publike(shkollave fillore dhe të mesme, Qendrës Kryesore të Mjekësisë familjare)  këshilltarëve komunalë, anëtarëve të komiteteve konsultative, kryetarëve të këshillave lokale të fshatrave,  vendbanimeve dhe lagjeve urbane, komunitetit të biznesit  si dhe  një pjesë e tyre u jepet mysafireve që vizitojnë Komunën e Hanit të Elezit,” sqaron Zyra për Informim e Komunës.

Më 15 nëntor KALLXO.com shkroi në lidhje me blerjen e 50 ombrellave nga Ministria e Integrimit në vlerën e 875 eurove. Një ombrellë e tillë sipas llogaritjeve kushtoi 17.5 euro, ndërsa në tregun kosovarë ka ombrella shumë më të lira.