7 vjet nga tragjedia e Gërdecit (Video)

Një shpërthim i fuqishëm në një punishte të demontimit të armëve dhe municioneve, më 15 mars 2008, e bëri fshatin e Gërdecit pjesë të historisë shqiptare dhe botërore.

Lajme

15/03/2015 16:34

Shpërthimi i punishtes, e cila u ndërtua me lejen e qeverisë “Berisha”, mori jetën e 26 njerëzve të pafajshëm, mes të cilëve gra dhe fëmijë, ndërsa mbetën të plagosur edhe 300 të tjerë.

Pavarësisht se sot mbushen plot 7 vjet nga kjo tragjedi, ende familjarët e viktimave kërkojnë drejtësi për jetët e humbura, ndërsa të tjerë kërkojnë dëmshpërblim për shtëpitë e tyre, shkruan Shekulli.

Kalvari i familjarëve prapa dyerve të gjykatave ka qenë i pafund, ku më aktive ka qenë Zamira Durda, nëna që humbi të birin 6-vjeçar. Edhe njerëz të politikës janë akuzuar për këtë tragjedi, edhe pse nuk janë paraqitur asnjëherë përpara drejtësisë.

Ndërkaq, ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Saimir Tahiri e ka quajtur tragjedinë e Gërdecit si ditë të zezë për drejtësinë, ndërsa ka fajësuar për këtë familjen e ish-kryeministrit Berisha.

Në një status në Facebook, Tahiri thotë se fajtorët lihen të lirë dhe nuk janë paraqitur kurrë para drejtësisë, ndërsa thekson se drejtësia mund të vihet vetëm nga Prokuroria dhe Gjykata.

Më poshtë mund të lexoni deklaratën e plotë të Tahirit:

Sot eshte nje nder ditet me te zeza e te turpshme per drejtesine. Nje biznes i lidhur me majen e pushtetit dhe zemren e familjes se ish KM. Femije, gra e burra te vrare nga babzia per fitim. Vite denim me pak se numri i jeteve te humbura.

Ish-ministri Mbrojtjes vijon te mos gjykohet sepse rifitoi mandatin e deputetit, dmth imunitetin. Skandal qe vazhdon, deri ne kufijte e mosveprimit kriminal nga drejtesia. I biri i ish KM nuk u pyet kurre, as edhe nje here te vetme. Ish-ministri i Drejtesise dhe nje deputet tjeter qe i sherbenin ‘kopsitjes’ se letrave, nuk u pyeten kurre. Sot keta jane te lire, pa ndjer peshen e drejtesise e as peshen e turpit publik.

Ndaj eshte nder ditet me te zeza e te turpshme per drejtesine. Kush mendon qe edhe kjo eshte pergjegjesi e maxhorances, le te kuptojë se eshte vetem Prokuroria dhe Gjykata qe mund te veproje per kete ceshtje. Reforma ne drejtesi eshte angazhim i maxhorances, e kjo po ndodh me shpejtesi, qe te tilla gjera te mos ndodhin kurre ne te ardhmen.

YouTube player