65 mijë serbë, 130 mijë votues!

\"Srpska\" beson se për zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit, së bashku me ndihmën e Beogradit, do të sigurojë rreth 130 mijë votues serbë, edhe pse në Kosovë nuk jetojnë më shumë se 65 mijë serbë, me e pa të drejtë vote. Pretendojnë të fitojnë rreth 15 uëlse në Kuvendin e Kosovës.

Lajme

20/05/2014 09:59

Komuniteteve pakicë në Kosovë nuk iu vazhduan vendet e rezervuara kështu që komuniteti serb do të ketë vetëm vende të garantuar që janë gjithsej dhjetë.

Për të fituar sa më shumë ulëse në Kuvendin e Kosovës, për zgjedhjet parlamentare, partitë serbe janë bashkuar dhe kanë vendosur që do të hyjnë me një listë të përbashkët.

I ashtuquajturi kryetar i Komisionit parlamentar për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Milovan Drecun beson se serbët në këto zgjedhje do të fitojnë 15 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

“Duhen 15 ulëse në Kuvend, për shkak se më pas secila parti shqiptare që fiton zgjedhjet do të detyrohet të bëjë koalicion me serbët. Serbët duhet të jenë aty për të parandaluar nxjerrjen e ligjeve që nuk shkojnë në interesat e serbëve në Kosovë”, ka thënë ai për “Zëri”.

Sigurimin e një numri të tillë të ulëse serbët e shohin si të mundur, pasi që ata llogarisin se kanë rreth 130 mijë votues serbë. Aktualisht, me regjistrimin e fundit të popullsisë, del se në Kosovë jetojnë rreth 25 mijë serbë, pa përfshirë edhe veriun, ku banorët e atjeshëm nuk kanë pranuar regjistrimin. Po në veri besohet se jetojnë rreth 40 serbë, e që me një matematikë të thjeshtë i bie që në Kosovë jetojnë jo më shumë se 65 mijë serbë.

Po, kryetari i Komunës së Graçanicës, Branimir Stojanoviq, ka thënë se këtë numër të votuesve do ta kenë me ndihmën e Beogradit.

“Me ndihmën e Beogradit dhe të bashkuar ne mendojmë se kësaj here do të kemi rreth 130 mijë votues serbë në Kosovë. Një numër i madh i tyre do të jenë serbë që janë shpërngulur nga Kosova gjatë periudhave të ndryshme”.

Analisti politik në Serbi, Dushan Janjiq mendon se tashmë është bërë një kompromis mes Prishtinës, Beogradit dhe Brukselit në mënyrë që serbëve që nuk kanë dokumente të Serbisë të mund të votojnë në zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë.

“Serbëve, që nuk kanë dokumente të Serbisë, besoj se do t’u mundësohet të votojnë në zgjedhjet parlamentare të Kosovës dhe kjo do të bëhet përmes nj kompromisi mes Prishtinës, Beogradit e Brukselit, madje besoj se ky kompromis edhe është bërë. Dhe Prishtina do të lëshojë pe, si shpërblim për serbët që nuk u janë vazhduar ulëset e rezervuara”, tha Janjiq, shkruan sot e përditshmja “Zëri”.