5 raste të reja me koronavirus në Obiliq, Gashi kërkon respektimin e masave
Në Komunën e Obiliqit gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 5 raste të reja me koronavirus.

Lajme
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit në Komunën e Obiliqit janë evidentuar edhe 5 raste të reja, shkruan lajmi.net.
Pas regjistrimit të rasteve të reja me COVID-19, ka reaguar i pari i Obiliqit, Xhafer Gashi, i cili ka thënë se rreziku nga koronavirusit nuk ka kaluar ende dhe ka kërkuar nga qytetarët që t’i respektojnë masat.
Sipas Gashit, bartja e maskave dhe dorëzave të jetë pjesë e rutinës tonë të përditshme.
Postimi i plotë i Gashit, pa ndërhyrje:
Të nderuar qytetarë,
Sipas njoftimeve të IKSHPK-së, në Obiliq kemi pesë raste të reja pozitiv me Covid-19 në fshatin Milloshevë, rastet në fjalë janë raste kontakti, familjarë të të infektuarit, katër ditë më parë, të cilët janë në vetizolim. Ekipet e QKMF-së po qëndrojnë në kontakt të vazhdueshëm me personat e infektuar dhe në të njejtën kohë po krijohet lista e kontaktit nga ana e tyre, me persona të tjerë.
Bashkëqytetarë të nderuar, lehtësimi i masave është bërë për të na bërë më të përgjegjshëm, por rreziku ndaj këtij virusi nuk ka kaluar ende, andaj ju lutem secilit prej jush që të respektoni me përpikëri rekomandimet e IKSHPK-së, bartja e maskave dhe dorëzave të jetë pjesë e rutinës tonë të përditshme.
Ne jemi bashkë në çdo sfidë, të vazhdojmë së bashku të përgjegjshëm përballë këtij armiku të padukshëm!
Respekto masat! Kujdesu për veten, familjen dhe qytetin tonë!. /Lajmi.net/