46 njohjet e lobimit tim

Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli deklaron se 46 njohje për Kosovën kanë ardhur si rezultat i lobimit të tij. Thotë se s’do të kandidojë për President, nëse për zgjedhjen e tij vendosin fytyrat që dalin sot para ekraneve televizive nga Kuvendi i Kosovës.

Lajme

24/12/2013 15:17

Zëvendëskryeministri i parë, Behgjet Pacolli, thotë se mban meritat për të paktën 46 njohje.

Ai thotë se nga 105 njohje, 46 janë rezultat i drejtpërdrejtë i lobimit të tij.

Ai tha sot se ka lobuar edhe sa ishte në opozitë, por edhe tash kur është pjesë e Qeverisë, për të rritur numrin e njohjeve për Kosovën. Rezultatet, sipas tij, janë të kënaqshme.

Pacolli deklaroi kështu në ligjëratën e mbajtur para studentëve të Universitetit të Prishtinës me temë:  “Procesi i Lobimit dhe Efektshmëria në Qeverisje”.

“Kosova është njohur sot prej 105 vendeve të botës. Unë kam dhënë kontribut shumë të madh, nuk dua tash as ta avancoj vetën, por e di se diku 46 njohje kanë ardhur prej lobimit tim të drejtpërdrejtë”.

“Shumica e tyre kanë ardhur kur kam qenë në opozitë dhe në atë kohë unë s’jam ndalur asnjëherë duke lobuar për Kosovën e duke sjell njohje të reja”.

“Procesi i lobimit për njohje të reja ka vazhduar edhe si përfaqësues i institucioneve të Kosovës”.

“Më tepër unë e kam përdorur kartëvizitën time si Ish President, për arsye se trageti im s’kanë qenë as Ministrat e Punëve të Jashtme, as Kryeministrat, por gjithmonë Presidentët e shteteve”.

“Presidenti është njeri që vendos dhe që i shtyn proceset përpara, ndërsa gjithë këta të tjerët kanë mundur të bëjnë vetëm nga një bisedë të mirë”.

Pacolli në këtë ligjëratë ishte kritik edhe ndaj efikasitetit të punës së Qeverisë së Kosovës.

“Kosova për një arsye ose tjetrën, së pari për shkak të mungesës së eksperiencës e traditës, s’ka sot një qeverisje efikase”.

Behgjet Pacolli ka folur edhe për mundësinë e kandidimit të tij në të ardhmen për President të Kosovës.

Ai tha se do të kandidonte për këtë pozitë vetëm në rast se Presidenti zgjidhet drejtpërdrejt nga populli dhe në asnjë variant tjetër.

“Nëse bëhet reforma e Ligjit për Presidentin, pra nëse Presidenti zgjidhet drejtpërdrejt nga populli, atëherë është mundësia shumë e madhe që unë të jem një prej kandidatëve dhe t`i nënshtrohem votës të qytetarit”.

“Por, një gjë është e sigurt, asnjëherë dhe kurrë në jetën time s’do ta dërgoj vetën time në duart e atyre njerëzve që i shihni në televizor në Parlamentin e Kosovës”.

“Nëse populli më zgjedh, do të garoj. Nëse jo, unë nuk do të garoj për këtë post nëse Presidenti zgjidhet nga Parlamenti”.

Përveç lobimit Pacolli foli edhe për zhvillimin ekonomik në Kosovë.

Ai ka thënë se Kosova duhet të shfrytëzojë avantazhet e saj, pozitën gjeografike, aftësitë e rinisë, forcën e kombit apo patriotizmin modern.

“Projektet e vizionit  ekonomik të AKR’së përfshijnë; zonat e lira ekonomike, menagjimin e Trepçës sipas një koncepti modern,  krijimin e platformave ushqimore për qumshtin, prodhime të tjera bujqësore, zgjidhja e krizës energjitike përmes burimeve të reja energjitiike dhe krijimit të hapësirës së përbashkët ekonomike, kulturore e arsimore me Shqipërinë”.

Pacolli tha se Kosova nuk e ka as traditën, as fuqinë e madhe ekonomike, as administratën funksionale ashtu si duhet.

“Pra, efektiviteti i qeverisjes në Kosovë nuk mund të jetë i njëjtë në të gjitha fushat e qeverisjes si në SHBA, Gjermani apo në Suedi, apo gjetkë”.

“Pushteti në Kosovë është monopolizuar në duart e dy partive kryesore që thirren ose tek lufta ose tek rugovizmi. Por kjo s’është zgjidhja. Ilaçi është tek ekonomia”