4,5 milionë euro për ndërtimin e liqenit artificial në Mitrovicë

Liqeni artificial i tipit rrjedhës në Suhadoll të Mitrovicës, i cili përfundon sivjet, do të jetë pikë turistike në Kosovë, ku kosovarët mund të kryejnë pushimet pa pasur nevojë të shkojnë në bregdet.

Lajme

18/08/2016 08:50

Pushuesit do të kenë mundësi t’i shijojnë plazhet, pushimoret, shëtitoret, madje edhe restorante e kafene, ndërsa do të riaktualizohet edhe sporti i lundrimit. Vlera e projektit është 4,5 milionë euro.

Deri në fund të këtij viti do të përfundojë ndërtimi i liqenit artificial në Suhadoll të Mitrovicës, i cili me një infrastrukturë të rregulluar mirë do të ofrojë pamje jashtëzakonisht të bukur, ndërsa njëkohësisht do të jetë pikë turistike që do të tërheqë numër të madh të vizitorëve.

Hartuesit e projektit, i cili ka koston prej 4.5 milionë eurosh, kanë siguruar se pushuesit kosovarë, nga vera e ardhshme mund të shijojnë plazhet, pushimoret, shëtitoret, madje edhe restorantet e kafenetë, ndërkohë që do riaktualizohet edhe sporti i lundrimit, i cili dikur ishte një prej sporteve kryesore në qytetin buzë Ibrit, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, i cili ka takuar përfaqësuesit e kompanisë “Bajraktari”, e cila kryen punimet, si dhe ata të kompanisë “AlbArchitect” që mbikëqyr realizimin e projektit, ka thënë se ndërtimi i liqenit akumulues artificial në Suhadoll të Mitrovicës, përgjatë lumit Ibër, ka rëndësi të veçantë për turizmin në Mitrovicë.

“Kemi të bëjmë me një projekt shumë të rëndësishëm, një prej projekteve më të mëdha që realizohet në Mitrovicë. Mitrovicasit shpesh e kanë shfrytëzuar lumin Ibër, përkundër ujit të ftohtë, si përgatitje për verime në det, ndërsa veçanërisht është shfrytëzuar nga qytetarët që nuk kanë pasur mundësi të shkojnë e të pushojnë në bregdet. Lumi ofron mundësi shumë të mira, por tani me ndërtimin e liqenit akumulues rrjedhës dhe të plazheve, të pushimoreve e shëtitoreve, qytetarët mitrovicas, por edhe ata të komunave të rajonit të Mitrovicës e të Kosovës do të kenë kushte jashtëzakonisht të mira për të pushuar, për t’u freskuar gjatë ditëve të verës dhe për të bërë plazh, pa shpenzuar shumë buxhetin familjar”, ka vlerësuar kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri.