400 policë të angazhuar për zgjedhjet në Podujevë, shoqërohen në polici qytetarët që fotografuan votën

Që nga orët e hershme të mëngjesit Policia e Kosovës ka ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshme për të kontribuar në mbarëvajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar komune në Podujevë.

Lajme

29/11/2020 14:57

Në një njoftim për media u tha se marrë parasysh numrin e qendrave të votimit, policia ka angazhuar rreth 400 zyrtar policor me detyra specifike në këtë proces, duke mos llogaritur këtu edhe numrin e zyrtarëve të tjerë të angazhuar me detyra të përgjithshme në atë territor.

Dy qytetarë u shoqëruan në stacion policor, pasi dyshohet se fotografuan votën. Njëri prej tyre sipas raportimit të mëhershëm është mërgimtarë, transmeton lajmi.net.

“Deri më tani kemi pranuar dy thirrje nga kryesuesja e qendrës së votimit në shkollën e mesme “Isa Boletini” në Podujevë, për dy raste që ndërlidhen me dyshime për fotografimin e votës.Në të dyja rastet policia ka shoqëruar në stacionin policor personat ndaj të cilëve janë ngritur dyshimet e pretenduara me qëllim të ndriçimit të rrethanave.Ndërkaq nuk është raportuar për ndonjë incident tjetër i cili ka kërkuar trajtim nga ana e policisë”, thuhet në njoftimin për media.

Tutje u shtua se e gjithë infrastruktura policore e angazhuar në këtë proces me vëmendje të shtuar po monitoron rrjedhën e këtij procesi duke qenë e gatshme për të trajtuar gjithçka që kërkohet brenda autorizimeve dhe kompetencës sonë./Lajmi.net/