4 vite nga pranimi i Kosovës në UEFA – historik i shkurtër suksesesh

Sot shënohet katër vjetori i pranimit të Federatës së Futbollit të Kosovës, në shtëpinë më të madhe të futbollit në Evropë, UEFA.

Sport

03/05/2020 10:10

Më 3 maj të vitit 2016, në Kongresin e mbajtur në Budapest, UEFA i dha fund izolimit të futbollit kosovar, duke e pranuar Kosovën si anëtarën e 55-të të saj, shkruan lajmi.net.

Me besimin e 28 shteteve anëtare, 24 votave kundër dhe 2 abstenimeve, kosovarët realizuan ëndrrën që e prisnin për shumë vite. Futbolli kosovar u ndërkombëtarizua në Budapest, përkundër një fushate kundërshtuese të ashpër nga fqinji ynë verior. Puna e kryetarit legjendar të FFK, Fadil Vokrri, kurorëzohej atje.

Pas pranimit në UEFA dhe punës fenomenale të heroit Fadil Vokrri, te kombëtarja e Kosovës do të vinte radha për disa heronj të tjerë. Fillimisht, ishte Albert Bunjaku, ai që konsiderohet si arkitekti i kombëtares që bëri një punë të palodhshme për të afruar lojtarë e për të ndërtuar një themel për ‘Dardanët’. Emra të njohur si Samir Ujkani, Valon Berisha, Milot Rashica, Bersant Celina e të tjerë, do t’i bashkoheshin Kosovës në vitet pasuese, shkruan lajmi.net.

Kualifikueset e Botërorir 2018 nuk do të shkonin më së miri për kombëtaren e Kosovës, që asokohe vetëm sa ishte duke bërë hapat e parë në futbollin ndërkombëtar. Me vetëm një barazim në ato kualifikuese, Albert Bunjaku vendosi të hiqte dorë nga posti i trajnerit, për të lënë radhën e Bernard Challandes, njeriu që edhe sot është në krye të stolit, e që po bën një punë të mrekullueshme.

Kosova do të vazhdonte aventurën e saj tashmë në një kompeticon tjetër, që njësoj si kombëtarja jonë, ishte i ri në futbollin evropian. Bëhet fjalë për Ligën e Kombeve, ku Kosova fitoi zemrat e shumë adhuruesve të futbollit falë paraqitjeve fenomenale.

Në një grup të përbërë nga Azerbajxhani, Ishujt Faroe e Malta, Kosova dilte e para në grup, duke siguruar gjysmëfinalen e Ligës D, ku tashmë përmes saj ka akoma gjallë ëndrrën për një biletë drejt Euro 2020.

Historike në këto katër vite ishin edhe kualifikueset për Euro 2020, ku Kosova në garë me kombëtare me përvojë si Anglia, Çekia, Mali i Zi e Bullgaria, arriti të pozicionohej në vendin e tretë, rezultat ky tejet pozitiv edhe pse nuk solli kualifikimin.

Përveç sukseseve me kombëtaren e Kosovës, pas pranimit në UEFA, një ngritje shënoi edhe futbolli i ligës vendore. Skuadrat si Prishtina, Drita, Feronikeli e Trepça 89 patën mundësinë që të luajnë ndeshje ndërkombëtare, të vlefshme për kualifikueset drejt Ligës së Kampionëve e Ligës së Evropës, ku nuk është se shënuan ndonjë sukses të madh, por pjesëmarrja ishte vet suksesi, pasur parasysh se përvoja mungonte.

Katër vitet pranim në UEFA, futbolli kosovar synon t’i kurorëzojë me një kualifikim në Kampionatin Evropian, i cili mund të vinte qysh në mars po të mos ishte për koronavirusin. Gjysmëfinalja e Ligës së Kombeve kundër Maqedonisë Veriore dhe një finale e mundshme me fituesin e Gjeorgji – Bjellorusi, mund t’i japin Kosovës biletën për Euro 2020. Dhurata më e mirë e mundshme për katër vjetorin e pranimit në UEFA. /Lajmi.net/