Demolli, PSD: Nagavci të përjashtohet – u ndërtuan 4 çerdhe në vend të 160, universiteti degradoi

Rezultatet e dobëta të Kosovës në testin “Pisa” i kanë nxjerrë sërish aktivistët e PSD-së në rrugë për të protestuar. Donjeta Demolli nga kjo parti tha se ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci i ka 990 mungesa të paarsyeshme dhe se duhet të përjashtohet nga kryeministri Kurti. “E kemi një ministre e cila është 990 ditë…

Lajme

06/12/2023 18:39

Rezultatet e dobëta të Kosovës në testin “Pisa” i kanë nxjerrë sërish aktivistët e PSD-së në rrugë për të protestuar.

Donjeta Demolli nga kjo parti tha se ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci i ka 990 mungesa të paarsyeshme dhe se duhet të përjashtohet nga kryeministri Kurti.

“E kemi një ministre e cila është 990 ditë në mungesë. Dhe këto mungesa i ka të paarsyeshme. Është e papërjashtuar ende nga kryeministri. Pse po ndodh kjo edhe pse ne asnjë lajm të mirë në fushën e arsimit, sot e tri vjet nuk e kemi marrë. Aq më shumë që dje e morëm një lajm shumë të keq në lidhje me rezultatet në testin “Pisa” dhe e patëm një minIstre që paturpësisht në vend të marrjes së përgjegjësisë, doli dhe gënjeu para qytetarëve”, ka thënë Demolli, shkruan lajmi.net.

Demolli tha se presioni ndaj sindikatave i nënçmoi mësimdhënësit e që sipas saj po i shtyn ata të dalin jashtë shtetit.

“Presioni ndaj sindikatave të arsimit ishte i pashembullt dhe ne përfunduam me cilësi të arsimit edhe më të dobët dhe me mësimdhënës të nënçmuar, të cilët besoj që sot me këto kushte të mësimdhënies, motivin kryesor e kanë largimin nga Kosova”.

Ajo tutje përmendi mosndërtimin e 160 çerdheve dhe degradimin sipas saj të gjendjes në universitet.

“Ndërtimi i 160 çerdheve ka dështuar, është dështim spektakolar. Kemi vetëm katër çerdhe të ndërtuara deri më tani… Gjendja në universitet vetëm sa ka degraduar. Kemi buxhet ma të ulët për universitet dhe paga më të ulëta për profesorët, por kemi ministra që i dërgojnë fëmijët në kolegje private brenda dhe jashtë shtetit”, tha Demolli. /lajmi.net/