365 ditët e sportit

Viti 2013 ishte vërtetë i veçantë në kalendarin sportiv. Ai do të kujtohet për suksesin e madh të Bayern Munichut, por edhe shumë kampionë të tjerë, që lanë gjurmë të pashlyeshme. Topi i Artë – Ylli i Barcelonës, Lionel Messi e fitoi për herë të katërt me radhë Topin e Artë që ndahet nga FIFA,…

Sport

31/12/2013 11:00

Viti 2013 ishte vërtetë i veçantë në kalendarin sportiv. Ai do të kujtohet për suksesin e madh të Bayern Munichut, por edhe shumë kampionë të tjerë, që lanë gjurmë të pashlyeshme.

Topi i Artë – Ylli i Barcelonës, Lionel Messi e fitoi për herë të katërt me radhë Topin e Artë që ndahet nga FIFA, bashkërisht me magazinën sportive franceze France Football.

Ai në finale mposhti rivalin e përhershëm nga Real Madrid, Cristiano Ronaldo dhe bashkëlojtarin e tij nga Barcelona, Andres Iniesta.

Kurse, në kategorinë e futbollisteve, amerikania Abby Wambach ndërpreu dominimin e brazilianes Marta duke e rrëmbyer çmimin. Kurse, amerikania tjetër Alex Morgan përfundoi e treta.

Trajneri më i mirë i vitit u zgjodh përzgjedhësi i Spanjës, Vicente del Bosque para Jose Mourinhos dhe Pep Guardiolës.

Liga e Kampionëve – Bayern Munich e fitoi Ligën e Kampionëve pas triumfit në finalen gjermane kundër rivalit Borussia Dortmund.

Gjiganti bavarez fitoi 2:1 dhe rrëmbeu titullin kontinental pas golave nga Mario Mandzukic dhe Arjen Robben.

Futbollisti më i mirë i këtij edicioni në Ligën e Kampionëve u shpall mesfushori i Bayern Munichut, Franck Ribery.

Liga e Evropës – Liga e Evropës i takoi Chelseas që mposhti në finale Benfican me rezultat 2:1. Mbrojtësi Branislav Ivanoviq shënoi golin e fitores në çastet e fundit të takimit.

Por, gjiganti londinez humbi në kuadër të Superkupës së Evropës, ku pas një ndeshje jashtëzakonisht interesante që në kohën e rregullt përfundoi në barazim 2:2, në fund festoi Bayern pas penalltive me rezultat 5:4.

Premierliga – Manchester United fitoi Premierligën në sezonin e lamtumirës së menaxherit legjendar Sir Alex Ferguson.

Strategu skocez e udhëhoqi ekipin drejt titullit të kampionit, para rivalit Manchester City. Chelsea doli e treta para Arsenalit. FA Cup i takoi Wigan Athleticut pas fitores 1:0 ndaj Manchester Cityt në Wembley’.

Football League Cup u fitua nga Swansea City që shkatërroi Bradford Cityn 5:0. Community Shield ose Superkupa e Anglisë, i takoi Manchester Unitedit që mposhti Wigan Athleticun 2:0.

La Liga – Barcelona triumfoi në La Ligë duke e mbyllur edicionin me 100 pikë, 15 më tepër se rivali i përhershëm Real Madrid.

Atletico Madrid përfundoi i treti, para Real Sociedadit. Copa del Rey i takoi Atletico Madridit që në finale mposhti rivalin e qytetit Real Madrid me rezultat 2:1.

Ndërsa, Superkupën e Spanjës e fitoi Barcelona, por vetëm falë golit të shënuar në udhëtim te Atletico Madrid 1:1, pas barazimit pa gola në ndeshjen e kthimit në Nou Camp.

Bundesliga – Bayern Munich dominoi Bundesligën duke fituar titullin e kampionit me 91 pikë. Borussia Dortmund doli e dyta kurse Bayer Leverkusen përfundoi i treti.

Bayern Munich fitoi edhe Kupën e Gjermanisë duke mposhtur në finale Stuttgartin me rezultat 3:2.

Kurse, Superkupa e Gjermanisë i takoi Borussia Dortmundit që e mposhti Bayern Munichun me rezultat 4:2.

Serie A – Juventus fitoi titullin e kampionit në Itali para Napoli që doli i dyti. Milani përfundoi i treti, para Fiorentinës, e katërta.

Kupa e Italisë i takoi Lazios që në finale e mposhti rivalin e qytetit Romën me rezultat 1:0. Kurse, në Superkupën e Italisë, Juventus e shkeli Lazion me rezultat të thellë 4:0.

Ligue 1 – Paris Saint-Germain u shpall kampion i Francës. I inspiruar nga Zlatan Ibrahimovic, gjiganti nga Parc des Princes la pas vetes Olympique Marseillen dhe Olympique Lyonin.

Kupa e Francës u fitua nga Bordeaux që mposhti Evianin 3:2. Ndërsa, Superkupa e Francës i takoi Paris Saint-Germain që mundi Bordeauxn me rezultat 2:1.

Kampionati botëror për klube – Bayern Munichu shpall kampion i botës për klub duke mposhtur në finale skuadrën nikoqire Raja Casablanca me rezultat 2:0, pas golave nga mbrojtësi Dante dhe mesfushori Thiago Alcanthara.

Kontribut në fitoren e madhe të kampionit të Bundesligës dha edhe ylli kosovar Xherdan Shaqiri i cili luajti si titullar dhe u zëvendësua vetëm në minutën e 80’të kur në vend të tij në lojë u inkuadrua përforcimi i ri Mario Gotze.

Në ndeshjen për vendin e tretë, Atletico Mineiro mundi Guangzhou Evergrande me rezultat 3:2.

Formula 1 – Ngasësi i Red Bullit, Sebastian Vettel siguroi titullin e katërt të njëpasnjëshëm të kampionit të botës në Formula 1, me fitore në garën për Çmimin e Madh të Indisë.

Gjermani, 26-vjeç zhvilloi një garë të përkryer dhe realizoi fitoren e gjashtë të njëpasnjëshme, duke u bërë vetëm ngasësi i katërt në histori që fitoi katër tituj.

Ai e mbylli stinorin me 397 pikë, para Fernando Alonsos në Ferrari me 242 dhe kolegut të tij nga Red Bull, Mark Webber me 199.

NBA – Miami Heat fitoi një titull të ri në NBA pas fitores në finalen dramatike ndaj San Antonio Spurs me rezultat 4:3 me fitore.

Spurs ishin në epërsi 3:2, por Miami realizoi përmbysje të suksesshme duke triumfuar me rezultat 95:88 në duelin vendimtar në ndeshjen e shtatë, duke rrëmbyer titullin e dytë të njëpasnjëshëm në NBA.

Euroliga – Kampion i Euroligës në basketboll u shpall Olympiacos që në duelin final mposhti Real Madridin me rezultat 100:88. Kurse, pozita e tretë i takoi CSKA Moskës.

Tenis – Grand Slam turneu i parë për vitin 2013, Australian Open, i takoi serbit Novak Djokovic i cili në finale mposhti Andy Murrayn.

Kurse, tek femrat, Victoria Nazarenka triumfoi ndaj Li Nas. Në Roland Garros, Rafael Nadal fitoi titullin pasi mposhti në finale David Ferrerin. Serena Williams festoi tek femrat pas triumfit ndaj Maria Sharapovas. 

Andy Murray më në fund fitoi Grand Slam titullin e tij të parë dhe atë në shtëpi. Britaniku triumfoi në Wimbledon duke mposhtur në finale Novak Djokovicin. Marion Bartoli u bë kampione pas fitores ndaj Sabine Lisickit.

Në US Open, Rafael Nadal fitoi titullin pasi mundi Novak Djokovicin kurse tek femrat, Serena Williams mposhti në finale Victoria Azarenkan.